Sot, me krenari dhe nderim të thellë, përkujtojmë 2 Korrikun e vitit 1990, ditën kur deputetët e Kosovës, me guxim, vizion dhe përgjegjësi historike, miratuan Deklaratën Kushtetuese, duke sfiduar regjimin pushtues serb dhe duke shprehur vullnetin e patjetërsueshëm të popullit shqiptar për liri, demokraci dhe shtetësi.
Ky akt madhor nuk ishte vetëm një deklaratë politike, por një betim para historisë se Kosova nuk do të pranonte kurrë robërinë. Ai u bë gurthemeli i rrugës sonë drejt pavarësisë dhe një udhërrëfyes për rezistencën institucionale, për luftën çlirimtare dhe për shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës.
Në këtë ditë kujtojmë me mirënjohje deputetët e 2 Korrikut, Presidentin historik Ibrahim Rugova, veprimtarët e çështjes kombëtare, luftëtarët e lirisë, dëshmorët, martirët dhe të gjithë ata që, me sakrificën dhe përkushtimin e tyre, e bënë realitet ëndrrën shekullore të popullit tonë. Liria dhe shteti që gëzojmë sot janë amaneti më i shenjtë i brezave që sakrifikuan gjithçka për Kosovën.
Prandaj, detyrë e secilit prej nesh është ta mbrojmë, ta forcojmë dhe ta zhvillojmë Republikën e Kosovës me unitet, përgjegjësi dhe përkushtim kombëtar. Në emër të Shoqatës Bamirëse Kulturore “Salih Çekaj” në Zvicër, ua urojmë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve kudo në botë këtë ditë të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Urime 2 Korriku!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë ata që i dhanë Kosovës lirinë, dinjitetin dhe shtetin! Lavdi përjetë veprës së tyre! Kryesia e SHBK “Salih Çekaj” në Zvicër