Urgjencat nga temperaturat e larta dhe këshilla për mbrojtje

0%

Valët e nxehtësisë mund të shkaktojnë lodhje, dehidrim dhe në raste të rënda goditje nga nxehtësia. Njohja e shenjave paralajmëruese dhe reagimi i shpejtë janë thelbësore për mbrojtjen e shëndetit Prof. ass.

Isuf Bajrami Specialist i Mjekësisë Urgjente Qendra e Mjekësisë Urgjente – Prishtinë Në dekadën e fundit vërehet trendi i rritjes së temperaturave gjatë periudhës së verës, që ndikon në gjendjen shëndetësore të miliona njerëzve. Bota tashmë po i ndien efektet e dëmshme, të cilat, me gjasë, do të rriten për shkak të valëve termike.

Në Evropë është shënuar rritje e morbiditetit dhe mortalitetit që lidhet me nxehtësitë e mëdha. Vlerësimet tregojnë se ekziston besueshmëri për ngritjen e rrezikut shëndetësor për shkak të valëve termike, të cilat shkaktojnë pasoja shëndetësore dhe sociale. Edhe në Kosovë, nga valët e nxehtësisë, viteve të fundit paraqitet rritje e problemeve shëndetësore.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Probleme të shkaktuara nga nxehtësia Problemet e shkaktuara nga nxehtësia mund të jenë: • ënjtje e kyçit të këmbës; • ngërçe muskulore; • skuqje e shkaktuar nga nxehtësia, e njohur si miliaria. Probleme më serioze janë lodhja nga nxehtësia dhe goditja nga nxehtësia. Ato ndodhin në rrethanat e mëposhtme: 1.

Goditja klasike nga nxehtësia, pa mbingarkesë Kjo shkaktohet nga temperaturat shumë të larta të ambientit të jashtëm. Është më e zakonshme te të moshuarit, sidomos në zonat me klimë shumë të nxehtë. 2. Goditja nga nxehtësia me sforcim Kjo shkaktohet nga prodhimi i tepërt i nxehtësisë në organizëm.

Ndodh te: • sportistët; • punëtorët fizikë; • zjarrfikësit; • ushtarët; • përdoruesit e saunës. 3. Medikamente dhe substanca që mund ta rrisin rrezikun Medikamente dhe barna të ndryshme mund të predispozojnë për zhvillimin e sëmundjes nga nxehtësia. Përveç kësaj, njerëzit që marrin drogë, si kokainë, ekstazi ose amfetaminë, janë të predispozuar të sëmuren nga sëmundjet e nxehtësisë.

Vlerësimi i gjendjes Gjatë vlerësimit të pacientit duhet: • të garantohet siguria e vendit të ngjarjes dhe të zbatohen masat e mbrojtjes personale; • të vlerësohet ABCDE; • të vlerësohet niveli i vetëdijes sipas Glasgow Coma Scale (GCS).

Është e rëndësishme të dyshohet për lodhje nga nxehtësia ose goditje nga nxehtësia, bazuar në historinë mjekësore, rrethanat dhe çrregullimet e vërejtura gjatë ekzaminimit fizik. Megjithatë, mund të jetë e rrezikshme të supozohet se kolapsi i sportistit është shkaktuar vetëm nga nxehtësia. Shkaqe të tjera të mundshme, si diabeti ose problemet e zemrës, duhet të kontrollohen.

Te lodhja nga nxehtësia, pacienti mund të ketë simptoma të ngjashme me gripin, si: • dhimbje koke; • të përziera; • marramendje; • të vjella; • spazma ose ngërçe. Temperatura e trupit mund të jetë ose jo e ngritur, zakonisht nën 41 ºC, por rrahjet e zemrës do të rriten, frymëmarrja do të jetë e shpejtë, presioni i gjakut do të ulet dhe djersitja do të jetë e pranishme.

Dallimi midis goditjes nga nxehtësia dhe lodhjes nga nxehtësia është se pacienti me goditje nga nxehtësia do të ketë simptoma neurologjike, si: • çrregullim i vetëdijes; • ataksi; • konvulsione. Për më tepër, temperatura e trupit do të jetë gjithmonë e ngritur, zakonisht mbi 41 ºC. Djersitja nuk është domosdoshmërisht e pranishme.

Veprimet mjekësore urgjente Në rastet e dyshuara për lodhje ose goditje nga nxehtësia, veprimet mjekësore urgjente përfshijnë: • fillimin e kujdesit sipas ABCDE; • dhënien e oksigjenit, me ngopje të synuar mbi 94%; • matjen e nivelit të glukozës në gjak.

Nëse pacienti është plotësisht i vetëdijshëm dhe pa shqetësime të sistemit nervor qendror, si në rastin e lodhjes nga nxehtësia, ai mund të trajtohet me zëvendësim oral të lëngjeve. Nëse është e mundur, duhet të përdoret tretësirë izotonike për rihidrim. Në rastet e rënda duhet të hapet një linjë intravenoze dhe të fillohet rihidratimi me tretësirë fiziologjike.

Te individët e shëndetshëm me lodhje nga nxehtësia, zëvendësimi fillestar i lëngjeve duhet të administrohet para se shenjat vitale të bëhen patologjike. Nëse pacienti ka simptoma që tregojnë rraskapitje nga nxehtësia, atëherë duhet të jepet një bolus prej 250 ml tretësirë fiziologjike. Vëllimet e mëdha të lëngjeve duhet të shmangen, pasi mund të shkaktojnë edemë të trurit.

Nëse nuk ka puls qendror ose periferik, atëherë kërkohen boluse prej 250 ml tretësirë fiziologjike, në sasi totale deri në 1 litër. Gjatë ekzaminimit të parë është e nevojshme të hapet një rrugë intravenoze. Rruga intraoseale mund të merret parasysh. Shenjat vitale duhet të rivlerësohen pas çdo bolusi të lëngjeve dhe para administrimit të mëtejshëm të tyre.

Gjithashtu duhet: • të monitorohet vazhdimisht ritmi i zemrës; • të zhvendoset pacienti nga ambienti i nxehtë ose, nëse është e mundur, të largohet shkaku; • të vendoset pacienti në automjet me ajër të kondicionuar, nëse ka mundësi; • të matet temperatura e trupit të pacientit, më së miri temperatura rektale; • të matet edhe temperatura e ambientit, nëse është e mundur; • të hiqen rrobat e tepërta; • të fillojë ftohja.

Pacienti mund të spërkatet me ujë të vakët dhe ventilatorët të drejtohen për të fryrë ajrin në lëkurën e lagur. Nuk duhet të përdoret ujë shumë i ftohtë, sepse mund të shkaktojë vazokonstriksion dhe të reduktojë humbjen e nxehtësisë. Mund të vendoset akull në sqetulla, qafë dhe ijë. Gjithashtu mund të vendosen peshqirë të lagur me ujë të ftohtë në faqe, pëllëmbë dhe shputa.

Duhet të fillojë transporti urgjent i pacientit për në spital, me kondicioner të ndezur ose me dritare të hapura. Nëse pacienti është jashtëzakonisht i shqetësuar dhe i çorientuar, mund t’i jepet diazepam i.v. 5–10 mg, ngadalë, sipas vlerësimit mjekësor. Çdo gjë e vërejtur dhe e zbatuar duhet të regjistrohet në dokumentacionin mjekësor.

Nëse është e nevojshme, duhet të njoftohet pranimi i urgjencës në spital për mbërritjen e pacientit. Trajtimi i pacientit duhet të vazhdojë edhe gjatë rrugës për në spital.

Komplikimet e goditjes nga nxehtësia Komplikimet e goditjes nga nxehtësia janë: • respiratore: aspirim, bronkospazmë, edemë pulmonare jokardiogjene, sindromë e shqetësimit respirator akut, pneumoni, infarkt pulmonar, hemorragji pulmonare; • kardiake: dekompensim kardiak, dëmtim akut i miokardit, çrregullime të ritmit; • hipotension; • konvulsione; • rabdomiolizë; • insuficiencë renale akute; • dëmtim akut i mëlçisë; • koagulopati intravaskulare e diseminuar (DIK).

Këshilla për mbrojtje nga temperaturat e larta Pacientëve u rekomandohet qëndrimi larg nxehtësisë dhe marrja e masave mbrojtëse gjatë ditëve me temperatura të larta. Qëndroni në ambiente të freskëta Qëndroni në ambientet më të freskëta të banesës ose shtëpisë, posaçërisht gjatë natës.

Nëse banesa ose shtëpia nuk mund të mbahet e freskët, kaloni 2–3 orë në ditë në ambiente të freskëta, për shembull në ndërtesa publike të klimatizuara. Shmangni daljet në pjesën më të nxehtë të ditës. Evitoni punën e rëndë fizike. Nëse jeni të detyruar të punoni me ngarkesë, bëjeni këtë në pjesën më të freskët të ditës, që zakonisht është në mëngjes, nga ora deri në . Kërkoni hije.

Mos i lini fëmijët dhe kafshët në automjet të parkuar. Automobili nuk duhet të lihet asnjëherë pa mbikëqyrje kur brenda ka fëmijë ose kafshë. Përdorni rregullisht kremra me faktor mbrojtës nga rrezet ultravjollcë (UV). Vëmendje të posaçme duhet t’u kushtohet fëmijëve. Foshnjat deri në 6 muaj nuk duhet të ekspozohen fare në diell dhe për ta nuk përdoren kremrat mbrojtës.

Deri në përfundim të vitit të parë, fëmijët nuk duhet të ekspozohen drejtpërdrejt në diell. Duhet të përdoren kremra mbrojtës për shkak të rrezatimit indirekt. Rekomandohen kremra hipoalergjenë, pa filtra kimikë, si dhe masa të tjera mbrojtëse. Me këtë rast, rëndësi ka përdorimi i rrobave mbrojtëse që mbrojnë nga rrezet UV.

Përshtatni ekspozimin tuaj ndaj rrezeve UV të diellit, duke respektuar ndryshimet ditore të vlerave të indeksit UV. Freskoni trupin dhe pini sasi të mjaftueshme të lëngjeve Shmangni daljen ose ekspozimin në diell në periudhën prej orës deri në , sidomos te fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit, pacientët me sëmundje të zemrës dhe personat me diabet. Bëni dush me ujë të vakët.

Mundësi tjetër është mbështjellja me peshqir, freskimi me sfungjer të lagësht ose vendosja e kompresave në këmbë. Vishni rroba të gjera, të lehta dhe nga materiale natyrale. Nëse shkoni jashtë, vendosni kapelë ose sheshir me strehë të gjerë dhe përdorni syze dielli.

Përdorni mbulesa të lehta, çarçafë dhe, sipas mundësisë, shmangni jastëkët, me qëllim të shmangies së akumulimit të nxehtësisë. Pini lëngje rregullisht. Shmangni alkoolin, pijet me shumë kafeinë dhe pijet me shumë sheqer. Hani shpesh racione të vogla. Evitoni ushqimin e pasur me proteina.

Nëse ju ose dikush rreth jush ndihet keq Kërkoni ndihmë nëse keni marramendje, dobësi, pafuqishmëri, ankesa të tjera, etje të madhe ose dhimbje të rëndë koke. Sa më shpejt shkoni në ambient të ftohtë dhe matni temperaturën. Pini ujë ose lëngje frutash, me qëllim të kompensimit të lëngjeve. Qetësohuni dhe shtrihuni në hapësirë të ftohtë.

Nëse keni ngërçe me dhimbje, më së shpeshti në këmbë, duar ose bark, shpesh pas kryerjes së punës ose ushtrimeve në kohë shumë të nxehtë, pini lëngje që përmbajnë elektrolite. Nëse ngërçet vazhdojnë për më shumë se një orë, nevojitet ndihmë mjekësore. Këshillohuni me mjekun në rast të ankesave të tjera ose nëse ato zgjasin më shumë.

Nëse ndonjë anëtar i familjes suaj ose person të cilin po e ndihmoni ka lëkurë të nxehtë dhe të thatë, delirium, flet në mënyrë të pakuptimtë, është i shqetësuar, ka ngërçe ose është pa vetëdije, menjëherë thirrni mjekun ose shërbimin e urgjencës mobile në numrin 194.

Derisa prisni mjekun ose urgjencën mjekësore me autoambulancë, vendoseni pacientin në ambient të ftohtë, në pozicion të shtrirë horizontalisht, ngrini këmbët, largoni rrobat dhe filloni ftohjen. Ftohja mund të bëhet me lecka të ftohta në qafë, nënsqetulla dhe ijë, me ventilator dhe me spërkatje të lëkurës me ujë në temperaturë 25–30 ºC. Matni temperaturën trupore.

Ftohni personin derisa temperatura trupore të bjerë nën 38 ºC. Mos jepni acid acetilsalicilik (aspirinë) ose paracetamol. Personat pa vetëdije vendosini në pozicion anësor të sigurt. Numra të rëndësishëm • Urgjenca mjekësore: 194 , për tërë Republikën e Kosovës. • Qendra operative e emergjencave: 112, si qendër unike për komunikim në të gjitha situatat emergjente.

Përmbledhje Lodhja ose goditja nga nxehtësia ndodh në temperatura të larta të jashtme, si pasojë e prodhimit të tepërt të nxehtësisë dhe gjatë marrjes së disa medikamenteve dhe barnave. Te sportistët nuk duhet gjykuar menjëherë se bëhet fjalë për kolaps nga nxehtësia; duhet të kontrollohen edhe shkaktarët e tjerë.

Te lodhja nga nxehtësia, pacienti mund të ketë simptoma të ngjashme me gripin, si dhimbje koke, mundim, të vjella, marramendje dhe ngërçe, por temperatura nuk është domosdoshmërisht e ngritur. Te goditja termike, pacienti do të ketë simptoma neurologjike, si çrregullime të vetëdijes, ataksi dhe konvulsione, ndërsa temperatura trupore zakonisht do të jetë e ngritur, shpesh mbi 41 ºC.

Pacienti duhet të transferohet në spital me përcjellje nga ekipi i shërbimit urgjent, me autoambulancë standarde dhe me pajisje mjekësore.

Burimi: Telegrafi