Familja, martesa dhe prindërimi janë ndër synimet kryesore të të rinjve të Evropës Lindore, ku bën pjesë edhe Kosova, dhe atyre të Azisë Qendrore. Por, këto qëllim, jo gjithmonë përmbushen për arsye që kryesisht kanë të bëjnë me gjendjen ekonomike, atë sociale, pa e lënë anash edhe çështjen e sigurisë.
Një anketë e re e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsi (UNFPA) ka zbuluar një mospërputhje të thellë mes dëshirës së të rinjve për të krijuar familje dhe realiteteve demografike në Evropën Lindore, ku bën pjesë edhe Kosova, dhe Azinë Qendrore.
Të dhënat, të publikuara të enjten në prag të Ditës Botërore të Popullsisë (11 korrik), tregojnë se shumica e të rinjve vazhdojnë ta konsiderojnë familjen, martesën dhe prindërimin si ndër synimet kryesore të jetës, por përballen me pengesa të shumta ekonomike dhe sociale që ua vështirësojnë realizimin e këtyre planeve.
Sipas anketës, rreth 65 për qind e të rinjve në këto dy rajone të botës, shprehen optimistë për të ardhmen e tyre, përqindje dukshëm më e lartë se “homologët” e tyre në vendet e Evropës Perëndimore dhe Azisë Lindore. Studimi tregon se 79 për qind e të anketuarve dëshirojnë të martohen, ndërsa 87 për qind e konsiderojnë gëzimin dhe lumturinë si arsyet kryesore për të pasur fëmijë.
Shumica synojnë të kenë dy ose më shumë fëmijë, duke e parë familjen si bazë të identitetit dhe mirëqenies së tyre. Megjithatë, aspiratat shpesh mbeten të parealizuara. Më shumë se një në pesë gra të moshës 35 deri në 39 vjeç nuk kanë fëmijë, edhe pse 95 për qind e tyre shprehen se dëshirojnë të bëhen nëna.
Anketa evidenton gjithashtu një hendek të madh mes numrit të fëmijëve që të rinjtë dëshirojnë të kenë dhe numrit që arrijnë të kenë deri në fund të të tridhjetave.
UNFPA vlerëson, duke u bazuar në të dhënat e anketës, se pengesat kryesore janë pasiguria financiare, mungesa e banimit të përshtatshëm, problemet shëndetësore, vështirësia për të gjetur partnerin e duhur dhe ndarja e pabarabartë e përgjegjësive familjare.
Drejtoresha Rajonale e UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, Florence Bauer, tha se të rinjtë nuk janë larguar nga ideja e krijimit të familjes, por nuk shohin se i kanë kushtet e nevojshme për ta realizuar atë.
Ajo u bëri thirrje qeverive të vendeve të këtyre rajoneve të hartojnë politika që adresojnë pengesat në punësim, banim, shëndetësi dhe barazi gjinore, në vend të masave që synojnë vetëm të ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet për lindjen e fëmijëve.
Anketa është zhvilluar gjatë vitit 2025 me mbi 13.500 persona të moshës 18 deri në 39 vjeç në 11 vende dhe territore të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, përfshirë edhe Kosovën.
