U nda nga jeta në moshën 99-vjeçare/ Korçë, i jepet lamtumira e

0%

Me nderime dhe në një ceremoni private familjare në Korçë, iu dha lamtumira e fundit “Mjeshtrit të Madh”, aktorit Koço Qendro, i cili u nda nga jeta në moshën 99-vjeçare. Një nga figurat themeluese të teatrit dhe estradës së Korçës, Koço Qendro la pas një trashëgimi të pasur artistike, duke u shndërruar në një prej aktorëve më të spikatur të karaktereve në skenën dhe kinemanë shqiptare.

Publiku do ta kujtojë përgjithmonë si Harpagonin e komedisë “Kopraci” të Molierit, një interpretim që u kthye në simbol të teatrit shqiptar dhe që e shoqëroi aktorin në periudha të ndryshme të jetës së tij artistike. Gjatë karrierës, Koço Qendro bashkëpunoi me regjisorë të njohur si Sokrat Miho, Piro Mani dhe Dhimitër Orgocka, ndërsa interpretoi dhjetëra role në teatër, estradë dhe film.

Në ceremoninë e lamtumirës, kolegë dhe bashkëpunëtorë të tij vlerësuan jo vetëm artistin, por edhe njeriun. Drejtoresha e Teatrit të Korçës, Zamira Kita, e cilësoi Koço Qendron një mik të çmuar, një aktor brilant karakteresh dhe një këshilltar të vyer për brezat e rinj të artistëve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Aktorët Andrea Pepi, Kiço Keri dhe Ligoraq Riza e përshkruan atë si një qytetar shembullor, një artist të rrallë dhe një prej themeluesve të teatrit profesionist në Korçë, i cili me talentin dhe përkushtimin e tij fitoi dashurinë e publikut në mbarë Shqipërinë.

Në kinematografi, Koço Qendro la gjurmë me interpretimet në filmat i teti në bronz, Përballimi, Agimet e stinës së madhe, Vendimi dhe shumë prodhime të tjera që mbeten pjesë e fondit të artë të kinemasë shqiptare. Me ndarjen nga jeta të Koço Qendros, arti shqiptar humb një prej ikonave të tij, ndërsa publiku një aktor që për gati një shekull i dhuroi skenës karaktere të paharrueshëm.

Burimi: Bota Sot