Floriano Cani, punëtori me origjinë shqiptare që mbeti i plagosur rëndë në një aksident në vendin e punës më 26 qershor në Due Carrare, në provincën e Padovës, ka ndërruar jetë më 30 qershor. 27-vjeçari u godit nga një shtyllë telekomunikacioni gjatë kryerjes së punës. Ai u transportua me helikopter drejt Spitalit të Padovës, ku ishte shtruar në repartin e terapisë intensive.
Megjithatë, plagët e rënda që kishte pësuar rezultuan fatale. Ngjarja ka rikthyer në vëmendje debatin mbi sigurinë në vendet e punës në rajonin e Venetos, ku sindikatat dhe institucionet vijojnë të kërkojnë më shumë investime në masat parandaluese, trajnimin e punonjësve dhe kontrollet për të ulur numrin e aksidenteve në punë.
