Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti ka bërë të ditur se kompania ajrore Turkish Airlines ka korrigjuar emërtimin e destinacionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” në versionin gjerman, duke e ndryshuar nga “Priština” në “Prishtina”.
Ai tha se ky ndryshim dëshmon se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive mund të sjellin rezultate konkrete në korrigjimin e pasaktësive lidhur me emërtimin e Republikës së Kosovës dhe qyteteve të saj. Postim i plotë: Lajm i jashtëzakonshëm!
Falë reagimit të qytetarëve tanë dhe angazhimit të vazhdueshëm diplomatik, kompania ajrore Turkish Airlines ka korrigjuar emërtimin e destinacionit të Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” në versionin gjerman, duke e ndryshuar nga “Priština” në “Prishtina”. Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete.
Nëse hasni ndonjë institucion apo kompani gjermane ku Republika e Kosovës apo qytetet tona nuk paraqitet në mënyrë korrekte, ju lutemi të na shkruani në [email protected] , duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse, në mënyrë që këto pasaktësi të adresohen dhe korrigjohen. Vazhdojmë së bashku drejt sukseseve të radhës!
