Tuchel: Lartësia në Meksikë, pengesë e madhe për Anglinë

0%

Thomas Tuchel ka pranuar se Anglinë e pret një sfidë shumë e vështirë ndaj Meksikës në fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës, sidomos për shkak të lartësisë së madhe në stadiumin “Azteca”. Anglia siguroi kualifikimin pas fitores 2-1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos, falë dy golave të Harry Kane në 15 minutat e fundit.

“Tre Luanët” përmbysën disavantazhin e pjesës së parë, pasi Brian Cipenga kishte kaluar afrikanët në epërsi që në minutën e shtatë. Në raundin tjetër, skuadra e Tuchelit do të përballet me Meksikën në “Azteca”, një stadium ku vendasit janë jashtëzakonisht të fortë.

Meksika ka humbur vetëm dy nga 88 ndeshjet e fundit në këtë impiant, ndërsa një nga arsyet kryesore është lartësia, pasi stadiumi ndodhet rreth 2.200 metra mbi nivelin e detit. Tuchel e pranoi se kjo do të jetë një pengesë e madhe për Anglinë, pasi lojtarët nuk kanë kohë të përshtaten fizikisht. “Lartësia do të jetë një disavantazh i madh, sepse nuk mund të përshtatemi fizikisht me të.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kjo kërkon shumë kohë dhe ne kemi vetëm pak ditë mes ndeshjeve. Është thjesht e pamundur të adaptohesh në katër ditë. Ky është një avantazh shumë i madh për Meksikën”, deklaroi Tuchel. Meksika është mësuar me këto kushte, pasi të gjitha ndeshjet e saj në këtë Botëror i ka luajtur në lartësi, tri në “Azteca” dhe një në Guadalajara, që gjithashtu ndodhet në lartësi të madhe.

Megjithatë, trajneri gjerman beson se Anglia ka karakterin e duhur për ta përballuar këtë sfidë. “Mund të ketë edhe pengesa të tjera, por ne jemi gati. Kjo është diçka me të cilën duhet të përballemi dhe mendoj se kemi treguar mentalitetin e duhur”, s htoi ai. Nëse Anglia kalon Meksikën, në çerekfinale do të përballet me fituesin e duelit Brazil–Norvegji.

Për tifozët anglezë, ëndrra për t’i dhënë fund pritjes 60-vjeçare për titullin botëror mbetet ende gjallë. Tuchel, megjithatë, nuk beson se lojtarët po ndihen të rënduar nga presioni historik. “Nuk pashë asgjë të tillë. Do të ishte shumë e lehtë të pranohej ky rrëfim, por unë nuk e pashë te skuadra. Dhe kjo është një shenjë shumë e mirë” , përfundoi ai.

Burimi: Bota Sot