Shpërndaje në: Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe ai i Ukrainës Volodymyr Zelensky u takuan në Ankara të Turqisë, në margjinat e Samitit të NATO-s 2026. Pas takimit ata dolën para gazetarëve dhe iu përgjigjën pyetjeve të mediave. Trumpi u pyet për sulmet e Ukrainës thellë në territorin rus.
Fillimisht ai ia kaloi fjalën sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili tha se këto sulme kanë ndryshuar dinamikën e luftës.
Më pas, deklaroi se “është një përshkallëzim, por është gjithashtu një përshkallëzim që mund të ndihmojë për t’i dhënë fund luftës.” Ai shtoi se beson se të dyja palët dëshirojnë të arrijnë një marrëveshje, duke thënë se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, me siguri “do të donte t’i kthehej rindërtimit të vendit të tij, në vend të gjithë kësaj vdekjeje dhe shkatërrimi.” Zelensky u përgjigj shkurt: “Sigurisht.” Trumpi vazhdoi duke thënë se Ukraina ka potencial të jashtëzakonshëm, ndërsa theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë interes në suksesin e saj, duke iu referuar marrëveshjes për mineralet.
Presidenti amerikan, Donald Trump, u tha gazetarëve se më vonë gjatë ditës planifikon të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe i pyeti ata se çfarë do të donin ta pyeste.
Gazetarët sugjeruan pyetjen: “Kur do ta përfundojë këtë luftë?” Trump u përgjigj me shaka: “Nuk besoj se ia kam bërë ndonjëherë atë pyetje.” Ai shtoi se, sipas tij, Putini “dëshiron ta përfundojë luftën shpejt” dhe “sa më shpejt që të jetë e mundur.” “Flas shumë me të. Tani pak më rrallë, por marrëdhënia është shumë e mirë”, deklaroi Trump.
Ai gjithashtu deklaroi se ka qenë “i ashpër ndaj Rusisë, shumë më i ashpër sesa pritej.” Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se nuk është i sigurt se cilat janë kushtet e Putinit për të pranuar një marrëveshje paqeje, duke shtuar se ato po ndryshojnë ndërsa ushtria ukrainase po forcohet.
Ai tha se Ukraina dëshiron “ta zhvendosë këtë luftë në qiell, larg fushëbetejës”, duke theksuar se kjo e ndihmon të ketë kontroll më të madh mbi situatën në terren.
I pyetur nëse është i gatshëm të vendosë sanksione të tjera ndaj Rusisë, Trump tha se “ka shumë presion mbi presidentin Putin”, duke shtuar: “Nuk besoj se atij i pëlqen ajo që po ndodh.” Në pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie, Trump u përgjigj: “Ne duam ta bëjmë këtë, duam ta bëjmë për të shpëtuar jetë… Unë po përpiqem të shpëtoj jetë.”
