Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka deklaruar se ka urdhëruar ushtrinë të jetë e përgatitur për të nisur sulme kundër Iranit nëse qeveria iraniane do të kryente ose do të tentonte një vrasje të presidentit, raporton Reuters .
“1000 raketa janë të kyçura, të ngarkuara dhe të drejtuara drejt Republikës Islamike të Iranit, dhe mijëra të tjera do të pasojnë menjëherë, nëse Qeveria iraniane vepron sipas kërcënimit të saj, të shprehur në shumë cep të Globit, për të vrarë ose për të tentuar të vrasë Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë rast, mua!”- ka shkruar ai në një postim në Truth Social.
“Urdhrat janë dhënë tashmë dhe Ushtria Amerikane është e gatshme, e vullnetshme dhe e aftë, për një periudhë njëvjeçare, me mundësi zgjatjeje, të shkatërrojë plotësisht të gjitha zonat e Iranit”- ka shtuar Trump. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të mërkurën () se armëpushimi ndërmjet SHBA-së dhe Iranit “ka marrë fund”, pasi të dy vendet shkëmbyen sulme, raporton BBC .
“Nuk dua të merrem më me ta, janë llum”, ka thënë presidenti amerikan në samitin e NATO-s në Turqi. “Ata janë njerëz të sëmurë, udhëhiqen nga njerëz të sëmurë… Për sa më përket mua, ka mbaruar”. Trump ka shtuar se negociatorët nga të dyja palët mund të vazhdojnë të flasin, por “mendoj se po humbin kohën e tyre” kot.
SHBA-ja ka njoftuar të martën mbrëma, , se kishin qëlluar më shumë se 80 objektiva iraniane pas sulmeve ndaj tre tankerëve të naftës në Ngushticën e Hormuzit. Irani nuk e ka marrë përgjegjësinë drejtpërdrejt. Në kundërpërgjigje, Irani ka thënë se po shënjestron bazat ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt.
Ndërkohë shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se sulmet amerikane ishin “absolutisht të nevojshme”, duke akuzuar Iranin për “shkelje në thelb të armëpushimit”. Kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se SHBA-ja ka shkelur armëpushimin.
Muajin e kaluar, Teherani dhe Uashingtoni nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit prej 14 faqesh, që synonte zgjatjen e armëpushimit dhe përfundimin e konfliktit “në të gjitha frontet”.
