Hansi Flick është shndërruar në figurën kryesore të planifikimit sportiv të Barcelonës gjatë këtij afati kalimtar. Trajneri gjerman, i cili po përgatitet për sezonin e tij të tretë në stolin blaugranas, ka fituar ndikim të madh në vendimmarrjen e klubit, duke qenë tashmë ai që përcakton profilin e përforcimeve që dëshiron të shohë në skuadër.
Marrëdhënia e shkëlqyer mes Flickut dhe drejtorit sportiv Deco mbetet një nga shtyllat kryesore të projektit të Barcelonës. Megjithatë, ndryshe nga afatet kalimtare të mëparshme, këtë verë është trajneri ai që po udhëheq strategjinë sportive, një tregues i besimit të madh që presidenti Joan Laporta dhe drejtuesit e klubit kanë krijuar ndaj tij pas dy titujve radhazi në La Liga.
Që nga ardhja e tij në Barcelonë, Flick ka zhvilluar takime të vazhdueshme me Decon për të analizuar afrimet, largimet dhe nevojat e ekipit. Transferime si Dani Olmo, Joan Garcia, Marcus Rashford, Roony Bardghji apo rikthimi i Joao Cancelos ishin kryesisht rezultat i punës së Decos, gjithmonë me miratimin e trajnerit.
Tashmë situata ka ndryshuar, pas suksesit të arritur në krye të Barcelonës, Flick ka fituar një rol shumë më të rëndësishëm në strukturën sportive të klubit dhe ka fjalën vendimtare në disa prej lëvizjeve më të rëndësishme të afatit kalimtar. Një nga shembujt më të qartë është përforcimi i repartit ofensiv.
Flick vendosi të mos aktivizonte opsionin e blerjes së Marcus Rashford, pasi besonte se skuadra kishte nevojë për një profil tjetër në krahun e majtë të sulmit. Objektivi i tij kryesor ishte Anthony Gordon, futbollisti anglez i njohur për shpejtësinë, presionin intensiv dhe aftësinë për të sulmuar hapësirat.
Pikërisht këto cilësi përputhen me filozofinë e lojës së trajnerit gjerman dhe drejtuesit e klubit mbështetën plotësisht kërkesën e tij, duke e bërë Gordonin një nga transferimet më të rëndësishme të verës. Një tjetër kërkesë e drejtpërdrejtë e Flickut është Karim Adeyemi.
Sulmuesi gjerman, me të cilin trajneri ka bashkëpunuar edhe te kombëtarja e Gjermanisë, konsiderohet si një lojtar ideal për stilin e lojës që kërkon Barcelona. Flick beson se shpejtësia e tij, e cila arrin deri në 36.7 km/h, si dhe aftësia për të luajtur në disa pozicione të repartit ofensiv, do t’i japin ekipit një dimension të ri.
Pikërisht për këtë arsye ai insistoi personalisht në transferimin e Adeyemit, ndërsa Deco mbështeti kërkesën gjatë negociatave me Borussia Dortmundin. Flick ka kërkuar gjithashtu ndryshime edhe në stafin teknik, me synimin për të përmirësuar përgatitjen fizike të skuadrës pas një sezoni të shoqëruar nga dëmtime të shumta muskulore.
Me kërkesën e tij, Barcelona afroi përgatitësin fizik Yann-Benjamin Kugel, me të cilin Flick kishte punuar më parë te kombëtarja gjermane. Trajneri është i bindur se ndryshimet në aspektin fizik do t’i mundësojnë skuadrës të ruajë një ritëm më të lartë konkurrues gjatë gjithë sezonit.
Një tjetër dëshmi e autoritetit të tij ishte vendimi për të mos avancuar me transferimin e mbrojtësit italian Alessandro Bastoni. Edhe pse emri i tij ishte në listën e lojtarëve të monitoruar nga drejtoria sportive, Flick vlerësoi se ai nuk ishte prioritet për nevojat aktuale të ekipit dhe operacioni u ndal.
Kështu, edhe pse Deco vazhdon të ketë një rol kyç në zhvillimin e negociatave, është Hansi Flick ai që tashmë po përcakton profilin e futbollistëve që duhet t’i bashkohen Barcelonës.
Besimi i fituar pas sukseseve në La Liga i ka dhënë trajnerit gjerman një ndikim që shumë pak trajnerë e kanë pasur në klub vitet e fundit, ndërsa gjithçka tregon se ai do të vazhdojë të jetë figura kryesore në ndërtimin e projektit sportiv të Barcelonës.
