– Policia jep detaje për tragjedinë në Deçan ku humbën jetën babë e bir Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të diel në fshatin Maznik të Deçanit, ku dy persona kanë humbur jetën tragjikisht si pasojë e goditjes nga rryma. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Fillimisht janë dërguar në QKMF-në e Deçanit, e më pas në Spitalin Rajonal të Pejës, ku edhe është konstatuar vdekja e tyre ”, tha Rugova. Sipas policisë, viktimat janë babë e bir, ndërsa rrethanat e plota të rastit janë duke u hetuar nga organet kompetente.
Rasti ka tronditur banorët e zonës, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të hetimeve. – Vdesin aksidentalisht babë e bir në Deçan Një rast i rëndë raportohet se ka ndodhur këtë të diel në fshatin Maznik të Deçanit. Lajmi u bë i ditur nga Hajdar Sutaj, kryetari i Kuvendit Komunal të Deçanit.
Përmes një njoftimi prekës në Facebook, Sutaj bëri të ditur se Xhemajl dhe Hasan Mustafaj kanë humbur jetën aksidentalisht. “Në këto momente të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Mustafaj. Zoti ua dhëntë forcën ta përballojnë këtë dhimbje të madhe. Shpirtrat e tyre pushoftë në Xhenet”, ka shkruar ai.
