Tragjedi në Meksikë, 3 tifozë humbin jetën duke festuar kualifikimin

0%

Tre persona kanë humbur jetën nga asfiksia në Ciudad de Mexico, pasi mijëra tifozë dolën në rrugë për të festuar kualifikimin e kombëtares në fazën e 1/16 së finales së Kupës së Botës.

Sekretariati i Shëndetësisë i kryeqytetit meksikan ka bërë të ditur se tragjedia ka ndodhur pranë monumentit të njohur “Angel of Independence”, ku mijëra tifozë ishin mbledhur për të festuar fitoren 2-0 të Meksikës ndaj Ekuadorit në fazën e 1/32 së finales.

“Pas përpjekjeve të avancuara për reanimim, është konfirmuar vdekja e një burri 44-vjeçar dhe e një gruaje 19-vjeçare si pasojë e asfiksisë”, njoftuan fillimisht autoritetet shëndetësore përmes rrjeteve sociale. Më vonë, autoritetet konfirmuan edhe viktimën e tretë, një grua 48-vjeçare, e cila kishte pësuar asfiksi në një rrugë pranë zonës së festimeve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ajo ishte transportuar me urgjencë në spital, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve. Kryetarja e bashkisë së Ciudad de Mexico, Clara Brugada, ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave përmes një postimi në rrjetin social X, duke u bërë thirrje qytetarëve që festimet të shoqërohen gjithmonë me përgjegjësi, kujdes dhe empati.

Mijëra meksikanë dolën në rrugë pasi kombëtarja e tyre i dha fund një pritjeje 40-vjeçare për një fitore në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës. Triumfi ndaj Ekuadorit në stadiumin “Azteca” siguroi kalimin e bashkëorganizatorëve të turneut në 1/16 e finales.

Atmosfera festive, e mbushur me brohoritje dhe këngë, u zbeh nga pamjet e publikuara në rrjetet sociale, ku ekipet e emergjencës dhe paramedikët shiheshin duke u dhënë ndihmën e parë personave të shtrirë në tokë pranë zonës së festimeve.

Zona metropolitane e Ciudad de Mexico, me mbi 20 milionë banorë, është një nga më të populluarat në botë dhe shpesh përballet me grumbullime masive njerëzish, por kësaj radhe festa u shndërrua në tragjedi. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com