Listës Serbe i është refuzuar ankesa përmes të cilës i kontestoi rezultatet zgjedhore të subjektit politik Iniciativa Qytetare – Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Nenad Rashiqit, duke pretenduar se ka siguruar mandatin e rezervuar për komunitetin serb përmes votave të fituara në komuna dhe vendvotime me shumicë shqiptare, ku komuniteti serb nuk është i pranishëm ose është i pranishëm në numër shumë të vogël.
Kjo parti u ankua në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) më kundër ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më . Në ankesën e saj, Lista Serbe pretendoi se partia e Rashiqit arriti një numër votash në komuna ku sipas regjistrimit të popullsisë së Kosovës të vitit 2024, komuniteti serb praktikisht nuk ekziston.
“Në komunën e Mitrovicës së Jugut, ku sipas regjistrimit zyrtar jetojnë vetëm 18 anëtarë të komunitetit serb, ky subjekt politik ka fituar 96 vota. Në komunën e Gjakovës, ku janë regjistruar 17 anëtarë të komunitetit serb, janë fituar 85 vota.
Në komunën e Prizrenit, me gjithsej 191 anëtarë të komunitetit serb, janë fituar 443 vota, ndërsa në komunën e Pejës, me 95 anëtarë të regjistruar të komunitetit serb, janë fituar 150 vota… Në komunën e Kaçanikut, ku sipas regjistrimit nuk është regjistruar asnjë anëtar i komunitetit serb, subjekti politik në fjalë ka arritur të fitojë vota.” – thuhet në vendimin e PZAP të datës .
Lista Serbe ka pretenduar po ashtu se partia e Rashiqit nuk i ka fituar votat në vendvotimet ku votojnë serbët, por në vendvotimet ku votojnë anëtarë të komuniteteve të tjera.
“Në komunën e Pejës, 99% e serbëve jetojnë në fshatin Gorazhdec dhe votojnë në qendrën e votimit numër 1719, ShFM “Janko Joviqeviq”, ku subjekti politik LZP ka fituar vetëm 7 vota, ndërsa 143 të tjerat në vendvotime ku nuk ka serbë, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.” – kanë shtuar nga Lista Serbe.
KQZ në përgjigje ndaj ankesës së Listës Serbe ka deklaruar se pretendimet e saj nuk përbëjnë bazë ligjore për kontestimin e vlefshmërisë së votave apo rezultatit zgjedhor. “Lista e Votuesve nuk përmban dhe as nuk mund të përmbajë të dhëna për përkatësinë etnike të votuesve.
Në kuadër të administrimit të procesit zgjedhor, KQZ nuk mbledh, nuk ruan dhe nuk përpunon të dhëna që kanë të bëjnë me etnicitetin e qytetarëve.” – kanë thënë nga KQZ.
Kështu, PZAP e ka vlerësuar të pabazuar ankesën e Listës Serbe me arsyetimin se pretendimet e saj janë pabazuara, për faktin se e drejta e votës ka dy parime kryesore – barazinë dhe fshehtësinë e saj dhe lista e votuesve nuk përmban të dhëna për përkatësinë etnike të votuesve për shkak se do të mund të cenohen këto parime.
“Paneli sqaron se në kuadër të sistemit aktual zgjedhor në Republikën e Kosovës nuk ka asnjë bazë ligjore mbi bazën e së cilës do të mund të shpallen të pavlefshme fletëvotime në vendvotime të caktuara duke u bazuar mbi supozime për përkatësinë etnike të votuesve, përfshirë proporcionin në mes numrit të fletëvotimeve që mund të ketë fituar një parti, koalicion, nismë qytetare dhe kandidat i pavarur që deklaron që përfaqëson një komunitet dhe numrit të kualifikuar të votuesve të të njëjtit komunitet në vendvotime të caktuara.” – ka shpjeguar PZAP.
Sa i përket statistikave të regjistrimit të popullsisë të prezantuara nga LS, për PZAP ato nuk përbëjnë provë juridike për ekzistimin e parregullsive zgjedhore. Paneli ka theksuar se vota në Republikën e Kosovës është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë dhe si e tillë nuk mund të anulohet, shpallet e pavlefshme bazuar në përkatësi etnike të votuesit.
Vendimin e plotë të PZAP mund ta lexoni në këtë LINK . Në zgjedhjet e 7 qershorit, sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga KQZ-ja , Lista Serbe ka marrë 43,843 vota, ndërsa Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë ka marrë 5,447 vota. Me këtë rast, Lista Serbe ka siguruar 9 mandate në Kuvend, kurse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë një mandat.
