Thierry Henry ka befasuar me deklaratën e tij pas kualifikimit të Francës në raundin e 16-të të Kampionatit Botëror 2026, duke e cilësuar Michael Olise si lojtarin më të rëndësishëm të ekipit të Didier Deschamps, madje para Kylian Mbappe.
Franca siguroi kalimin në fazën tjetër të turneut pas fitores bindëse ndaj Suedisë në “MetLife Stadium”, ku Mbappe realizoi dy gola, ndërsa Bradley Barcola shtoi një tjetër në triumfin e francezëve. Tani, francezët do të përballen me Paraguain në raundin e 16-të të Botërorit, në një tjetër test të rëndësishëm në rrugën drejt trofeut.
Pavarësisht se Mbappe ka arritur shifrën e gjashtë golave në këtë Kampionat Botëror, duke barazuar Lionel Messin, Henry beson se ndikimi i Olise në lojën e Francës është edhe më i madh. “Gjithçka që ai bën pa top është e pakrahasueshme. Njerëzit zakonisht fokusohen vetëm te ajo që një lojtar bën me topin, por kur je një futbollist kaq teknik, shpesh harrohet detyra në mbrojtje.
Nuk e bën këtë, ai mendon për lojën në çdo moment, për mënyrën se si e luan ndeshjen. Michael është i jashtëzakonshëm”. “Mënyra se si e sheh lojën nuk është e njëjtë me atë të të tjerëve. Nëse gjërat nuk zhvillohen ashtu siç i ka imagjinuar, ndonjëherë del paksa nga loja, sepse e sheh gjithçka në mënyrë perfekte dhe shumë shpejt.
Nëse nuk je në të njëjtën gjatësi vale me të, ndonjëherë bezdiset”. “Çfarë lojtari. Kam pasur privilegjin ta stërvis. Ndonjëherë bënte gjëra në stërvitje dhe duhej ta përmbaje veten që të mos thoshe ‘wow’, sepse si trajner nuk mund ta bësh këtë. Shikoja ndihmësin tim dhe i thosha: ‘A e pe çfarë bëri sapo?’ Pastaj rikthehesha dhe thosha: ‘Ejani, ejani, vazhdojmë djema’”.
“Ky djalë është në një planet tjetër, është thjesht ndryshe”. “Lojtari i ndeshjes gjithmonë do të jetë Kylian Mbappe, sepse do të prodhojë statistika që askush tjetër nuk mund t’i arrijë, por lojtari më i rëndësishëm i Francës është Michael Olise”, deklaroi Henry për Fox Sports.
Ndërkohë, Olise po zhvillon një Botëror të jashtëzakonshëm, duke kryesuar renditjen e asistuesve me pesë asistime në katër ndeshje, teksa vazhdon të jetë një nga armët kryesore të Francës në garën për titullin e kampionit të botës./ Telegrafi
