Teuta ka hedhur kandidaturën për titullin në Superiore gjatë edicionit 2026-2027 me transferimin më të ri, Esat Mala. Mesfushori shqiptar i Kosovës, vjen nga Vllaznia, rival i drejtpërdrejtë në kampionat, ndërsa e ka treguar me skuadrën shkodrane se çfarë potenciali zotëron.
Në sezonin që lamë pas, në 37 paraqitje të Superiores, 27-vjeçari kontriboi në ekipin e drejtuar nga Edi Martini me 3 gola dhe 8 asiste, statistika domethënëse për një mesfushor. Një tjetër komponentë që reflekton impaktin e Malës, përkon me vlerën në treg sipas “Transfermarkt”, 400 mijë euro.
Tashmë, trajneri i Teutës, Edlir Tetova ka më shumë opsione në repartin organizativ dhe atë goditëse, pasi Esat Mala mund të shërbejë në të dyja fazat. “Mirë se vjen në Durrës, Esat Mala! 27-vjeçari i bashkohet Teutës pas një eksperience të gjatë në Abissnet Superiore dhe tashmë do të veshë fanelën blu për të dhënë kontributin e tij në arritjen e objektivave të skuadrës.
Suksese Esat”, ka shkruar klubi i Teutës.
