Testi i gjakut zbulon cilët pacientë me kancer kolorektal përfitojnë

0%

Te pacientët me metastaza në mëlçi, prania e ADN-së tumorale qarkulluese pas operacionit mund të tregojë se kush ka më shumë gjasa të përfitojë nga trajtimi shtesë dhe kush mund të kursehet nga terapia e panevojshme Shoqata Evropiane për Onkologji Mjekësore ka prezantuar në Kongresin për Kanceret Gastrointestinale ESMO 2026 rezultatet e një studimi të ri, sipas të cilit analiza e gjakut mund të ndihmojë në identifikimin e pacientëve që kanë më shumë gjasa të përfitojnë nga kimioterapia adjuvante, pra trajtimi që jepet pas operacionit.

Kanceri kolorektal është kancer që zhvillohet në zorrën e trashë ose në rektum. Ai zakonisht nis nga ndryshime të vogla në mukozën e zorrës, si polipet, të cilat me kalimin e kohës mund të shndërrohen në tumor malinj. Në fazat më të avancuara, ky kancer mund të përhapet edhe në organe të tjera, ndërsa mëlçia është një nga vendet më të shpeshta ku shfaqen metastazat.

Në qendër të studimit është testi për ctDNA, përkatësisht ADN-në tumorale qarkulluese në gjak. Prania e saj pas operacionit mund të jetë shenjë se në organizëm kanë mbetur qeliza mikroskopike të kancerit, të cilat nuk mund të shihen me metodat e zakonshme diagnostikuese.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Shenjë e fshehtë në gjak pas operacionit Studimi i fazës II, GALAXY, është udhëhequr nga studiues të Hyogo Medical University në Japoni, në bashkëpunim me kolegë nga University of Oxford në Britani të Madhe. Rezultatet treguan se te pacientët që iu nënshtruan fillimisht operacionit dhe te të cilët pas ndërhyrjes u zbulua ctDNA, kimioterapia adjuvante u lidh me rezultate dukshëm më të mira.

Katër vjet pas operacionit, mbijetesa e përgjithshme ishte 65 për qind te pacientët që morën kimioterapi, krahasuar me 33 për qind te ata që nuk e morën këtë trajtim. Mbijetesa pa sëmundje ishte 38 për qind, krahasuar me vetëm 7 për qind.

Këto të dhëna sugjerojnë se testi i gjakut për ctDNA mund të ndihmojë në përcaktimin se cilët pacientë kanë më shumë gjasa të përfitojnë nga kimioterapia pas operacionit, transmeton Telegrafi. Pse kjo analizë mund të jetë e rëndësishme Kanceri kolorektal është kanceri i tretë më i shpeshtë në botë dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjeve nga kanceri.

Mëlçia është vendi më i shpeshtë ku përhapen metastazat. Edhe pse operacioni ofron mundësinë më të mirë për mbijetesë afatgjatë, pas ndërhyrjes mund të mbeten qeliza mikroskopike të kancerit. Për këtë arsye, shumë pacientë marrin kimioterapi adjuvante, ndonëse ende nuk dihet me siguri se cilët prej tyre kanë realisht përfitim nga ky trajtim.

Per Pfeiffer, profesor i onkologjisë në Odense University Hospital në Danimarkë, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, ka theksuar se vetëm rreth 1 në 10 pacientë shërohet falë terapisë adjuvante, ndërsa pothuajse të gjithë përjetojnë efekte anësore nga trajtimi.

Sipas tij, shpresa është që testi për ctDNA të ndihmojë në identifikimin më të saktë të pacientëve që kanë më shumë gjasa të përfitojnë nga kimioterapia. Rreziku i rikthimit ishte shumë më i lartë Studimi përfshiu 298 pacientë që iu nënshtruan operacionit për metastaza kolorektale në mëlçi.

Analiza e gjakut për ctDNA u krye nga dy deri në dhjetë javë pas operacionit, duke përdorur një test të personalizuar, të bazuar në karakteristikat e tumorit. Nga këta pacientë, 191 iu nënshtruan fillimisht operacionit, ndërsa 107 morën kimioterapi neoadjuvante para operacionit.

Grupet u analizuan veçmas, pasi trajtimi paraprak mund të ndikojë në rezultatet e ctDNA-së dhe në përfitimin nga kimioterapia shtesë. Te pacientët që iu nënshtruan fillimisht operacionit, prania e ctDNA-së ishte e lidhur fort me rezultate më të dobëta.

Pacientët me test pozitiv për ctDNA kishin më shumë se katër herë rrezik më të lartë për rikthim të kancerit dhe më shumë se nëntë herë rrezik më të lartë për vdekje, krahasuar me pacientët te të cilët testi ishte negativ.

Kimioterapia ndihmoi më shumë kur ctDNA ishte pozitive Te pacientët me ctDNA të detektueshme pas operacionit, ata që morën kimioterapi adjuvante kishin rezultate dukshëm më të mira se ata që nuk e morën këtë trajtim. Trajtimi u lidh me rrezik më të ulët për rikthim të kancerit dhe vdekje, përfshirë uljen e rrezikut të rikthimit me 93 për qind.

Në anën tjetër, pacientët pa ctDNA të detektueshme kishin rezultate të favorshme afatgjata, pavarësisht nëse morën apo jo kimioterapi adjuvante. Kjo tregon se testi i gjakut mund të ndihmojë në ndarjen më të saktë të pacientëve: ata që mund të përfitojnë nga trajtimi shtesë dhe ata që ndoshta mund të shmangin kimioterapinë e panevojshme.

Premtuese, por ende jo praktikë standarde Te pacientët që kishin marrë kimioterapi para operacionit, analiza e ctDNA-së mbeti tregues i fortë për rikthimin e sëmundjes dhe mbijetesën. Megjithatë, kimioterapia shtesë pas operacionit nuk u lidh me përmirësim të rezultateve, pavarësisht statusit të ctDNA-së.

“Këto gjetje janë premtuese, sepse tregojnë se ctDNA mund t’i ndihmojë mjekët të identifikojnë se cilët pacientë kanë më shumë gjasa të përfitojnë nga kimioterapia pas operacionit, ndërsa të tjerët potencialisht mund të kursehen nga trajtimi i panevojshëm.

Megjithatë, provat ende nuk janë mjaft të forta që ctDNA të përdoret në mënyrë rutinore jashtë studimeve klinike, dhe nevojiten hulumtime të mëtejshme, mundësisht të rastësishme, para se kjo qasje të bëhet praktikë standarde”, ka shpjeguar profesor Pfeiffer.

Burimi: Telegrafi