Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Një test i ri gjaku që mund të zbulojë dhjetëra lloje kanceri me një analizë të vetme mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si bëhet kontrolli për kancerin, ka shkruar NPR. Testi, i quajtur “Galleri”, po shqyrtohet nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe mund të miratohet brenda këtij viti.
Nëse kjo ndodh, ekspertët besojnë se ai do ta bëjë më të lehtë zbulimin e hershëm të kancerit dhe do të jetë i qasshëm për miliona njerëz. Aktualisht, kontrolli rutinë kryhet vetëm për disa lloje të zakonshme kanceri, si ai i gjirit, mushkërive, prostatës, qafës së mitrës dhe zorrës së trashë.
Ndërsa testi “Galleri” mund të identifikojë sinjale të deri në 50 llojeve të ndryshme të kancerit nga një mostër e vetme gjaku. “Ky është një ndryshim themelor në mënyrën se si e mendojmë kontrollin për kancerin.
Në vend që të kontrollojmë për një lloj të vetëm kanceri, tani mund të kontrollojmë një person për shumë lloje njëkohësisht”, ka th ënë Megan Hall nga kompania Grail, e cila ka zhvilluar testin.
Aktualisht, “Galleri” dhe një test tjetër i ngjashëm, “Cancerguard”, mund të porositen në SHBA, por miratimi i plotë nga FDA do të ishte i nevojshëm që kostot e tyre të mbulohen nga sigurimi shëndetësor shtetëror amerikan (Medicare) dhe kompanitë e sigurimeve shëndetësore. Studimet e deritanishme kanë treguar rezultate premtuese.
Sipas kompanisë Grail, në vitin e tretë të monitorimit u vu re një ulje prej 26 për qind e rasteve të kancerit në stadin e katërt, përfshirë kancerin e pankreasit, mëlçisë, mushkërive dhe stomakut. Megjithatë, ekspertët theksojnë se “Galleri” nuk është një test diagnostikues.
Ai identifikon sinjale që mund të tregojnë praninë e kancerit dhe orienton mjekët se ku duhet të kryhen ekzaminime të mëtejshme për të konfirmuar diagnozën. “Parashikimi i vendndodhjes së mundshme të kancerit është një nga veçoritë më të rëndësishme të kësaj teknologjie, sepse i ndihmon mjekët të dinë se ku duhet të kërkojnë për ta konfirmuar ose përjashtuar sëmundjen”, ka thënë Hall.
Onkologu Arif Kamal nga Shoqata Amerikane e Kancerit ka thënë se testet e gjakut po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në luftën kundër kancerit. “Të gjitha këto teste bazohen në të njëjtën ide: të zbulojnë në gjak sinjalet e hershme që tregojnë praninë e kancerit ose rezistencën e tij ndaj trajtimit”, ka shpjeguar ai.
Ekspertët besojnë se zbulimi i kancerit në fazat e hershme mund të rrisë ndjeshëm shanset për trajtim të suksesshëm dhe mbijetesë, ndërsa teknologji të tilla mund të transformojnë kujdesin ndaj pacientëve në vitet e ardhshme.
