Tërmetet shkatërruese në Venezuelë, rritet në 235 numri i viktimave – dhjetëra persona ende nën rrënoja

0%

Numri i viktimave nga tërmeti i dyfishtë që goditi Venezuelën ka arritur në 235, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci pritet të rritet edhe më tej, pasi dhjetëra persona vazhdojnë të jenë të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura.

Operacionet e kërkim-shpëtimit po zhvillohen në kushte tepër të vështira, ndërsa vendi po përballet me një nga katastrofat natyrore më të rënda në historinë e tij moderne.

Dy tërmetet e fuqishme, me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë sipas shkallës Rihter, goditën Venezuelën me vetëm 39 sekonda diferencë, duke shkaktuar shembje masive të ndërtesave, zjarre, ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëme të mëdha në infrastrukturë. Që nga goditja e parë janë regjistruar më shumë se 20 lëkundje pasuese.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Zonat më të prekura janë La Huira dhe Morón, ku banorët dhe ekipet e shpëtimit po kërkojnë të mbijetuarit mes rrënojave, shpesh duke gërmuar me duar për shkak të mungesës së makinerive të rënda. Në shumë raste, nga rrënojat po nxirren si të plagosur, ashtu edhe viktima.

Ministri i Shëndetësisë, Carlos Alvarado, konfirmoi se numri zyrtar i viktimave ka arritur në 235, por pranoi se shumë persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur. Sipas modeleve të Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), ekziston frika se numri i viktimave mund të kalojë edhe 10 mijë, në varësi të situatës në zonat ku ekipet e shpëtimit ende nuk kanë arritur.

Katastrofa ka prekur edhe shtetas të huaj. Brazili ka konfirmuar vdekjen e dy qytetarëve të tij, ndërsa Italia njoftoi se një shtetas italo-venezuelian humbi jetën nga shembja e një ndërtese. Edhe Kina raportoi vdekjen e dy shtetasve të saj. Spitalet në zonat e prekura janë mbingarkuar me të plagosur dhe po përballen me mungesa serioze të ilaçeve, pajisjeve mjekësore dhe materialeve bazë.

Në disa raste, pacientët po trajtohen në oborret e spitaleve për shkak të mungesës së hapësirave. Banorët kanë bërë thirrje urgjente për më shumë ndihmë dhe pajisje shpëtimi, duke denoncuar mungesën e koordinimit dhe vonesat në ndërhyrje. Mijëra persona kanë mbetur pa strehë, ujë të pijshëm dhe ushqime, ndërsa në disa zona janë raportuar edhe raste plaçkitjesh.

Qeveria venezueliane ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka bërë të ditur se ndihma ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara, Spanja, Meksika dhe Katari është nisur drejt vendit. SHBA-ja ka miratuar gjithashtu një paketë ndihme prej 150 milionë dollarësh dhe ka angazhuar mjete ushtarake për të mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit.

Ndërkohë, lëkundjet pasuese vazhdojnë të shkaktojnë panik te popullsia dhe të vështirësojnë punën e ekipeve të emergjencës. Autoritetet paralajmërojnë se operacionet e shpëtimit mund të zgjasin për ditë, madje edhe javë, ndërsa bilanci përfundimtar i kësaj tragjedie mbetet ende i panjohur. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com