Edhe 27 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, qindra familje vazhdojnë të jetojnë mes shpresës dhe dhimbjes, duke pritur një përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre. Sipas të dhënave, 1,560 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur, ndërsa vetëm nga rajoni i Drenasit, Skenderajt dhe Vushtrrisë 145 persona ende figurojnë të zhdukur. Për shumë familje, lufta nuk ka përfunduar kurrë.
Këto histori dhimbjeje dhe pritjeje u sollën në vëmendje përmes dokumentarit të realizuar nga BIRN Kosova, për rajonin e Drenasit, i cili rikthen kujtesën për pasojat e luftës dhe rrëfen përvojat e familjeve që vazhdojnë të përballen me mungesën, pasigurinë dhe kërkimin e pandërprerë për të vërtetën. Në këtë mund ta shikoni dokumentarin të plotë.
Pas shfaqjes së dokumentarit u mbajt një debat publik, ku u diskutuan sfidat institucionale në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe roli i familjarëve dhe shoqërisë civile në kërkimin e drejtësisë dhe të së vërtetës.
Pjesë e panelit ishin Ilir Morina nga Prokuroria Speciale, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ahmet Grajqevci, përfaqësues i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Zhdukur, Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe Kreshnik Gashi nga KALLXO.com.
Ideatori i projektit, Kreshnik Gashi, tha se qëllimi i dokumentarëve nuk është vetëm të rikujtojnë pasojat e luftës, por edhe të nxisin ndërgjegjësimin e atyre që mund të kenë informacione për fatin e personave të zhdukur.
Sipas tij, zbardhja e fatit të të pagjeturve është e pamundur pa dëshmitë e njerëzve që dinë për vendndodhjen e varrezave masive, ndërsa pikërisht atyre u drejtohet kjo nismë. “Nuk ka pajtim pa pasur drejtësi, dhe drejtësia nuk mund të ndodhë në rast se nuk zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve.
Fati i tyre nuk mund të zbardhet nëse nuk ka dëshmitarë dhe njerëz që tregojnë për vendndodhjen e varrezave masive”, – tha Gashi. Ai theksoi se dokumentarët janë realizuar me shpresën se do të prekin ndërgjegjen e njerëzve që deri më tani kanë heshtur ose nuk kanë gjetur guximin të flasin.
“Me këta filma kemi dashur thjesht me e prekë ndërgjegjen e njerëzve të cilët mund të kenë sadopak informacione, një ndërgjegje e cila ndoshta në situata të caktuara ka qenë e heshtur apo edhe mosbesuese.
Thjesht me i thirrë me ardhë me dëshmu apo me dhënë sadopak informacione që i orientojnë njerëzit që janë duke punuar vazhdimisht për zbardhjen e fatit të të pagjeturve në pista të ndryshme” – u shpreh ai.
Gashi shtoi se pas çdo përpjekjeje për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur qëndron një numër i madh profesionistësh dhe njerëzish të përkushtuar, por puna e tyre mbetet e varur nga informacionet që mund të sigurohen.
“Mendoj që qëllimi kryesor i krejt kësaj nisme është me i bind njerëzit që kanë informacion me e nda atë dhe me ua dëshmu që prapa zbardhjes së fatit të të pagjeturve nuk është që njerëzit janë duke heshtur, po ekziston një makineri njerëzish që janë idealistë për me e zbulu fatin e të pagjeturve.
Ata janë duke punuar vazhdimisht, mirëpo informacionet janë shumë të rëndësishme në zbardhjen e fatit të të pagjeturve” – tha ai. Duke folur për rëndësinë e drejtësisë tranzicionale, Gashi theksoi se vetëm vendosja e drejtësisë mund të krijojë kushtet për pajtim. “Parimet e drejtësisë tranzicionale janë të qarta. Në rast se nuk ka drejtësi, do të vijë hakmarrja.
Mirëpo, në rast se punohet vazhdimisht për me e nxjerrë drejtësinë, për me i bë llogaridhënës ata që e kanë kryer krimin dhe për me e trajtu krejt pasojën, atëherë edhe pajtimi është i mundshëm” – deklaroi ai.
Ai shtoi se dokumentarët nuk janë dedikuar vetëm për publikun në Kosovë, por synojnë të arrijnë edhe audiencën ndërkombëtare dhe atë në Serbi, në mënyrë që e vërteta për krimet e luftës të jetë e qasshme për sa më shumë njerëz. “Këta dokumentarë nuk e kanë target vetëm audiencën shqiptare dhe publikun e Kosovës.
Synojnë me mbërri audiencën ndërkombëtare, synojnë me mbërri edhe audiencën në Serbi. Prandaj dokumentarët janë të përkthyer edhe në gjuhën serbe, edhe në gjuhën angleze, me qëllim që të paktën të jemi një derë dhe një alternativë për atë çka ka ndodhur në vendin tonë dhe njerëzit të mund ta shohin të vërtetën e plotë” – tha Gashi.
Duke folur për angazhimin institucional në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, tha se një nga hapat e parë ka qenë strukturimi i punës së Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës për t’u përballur me sfidat e hetimit të krimeve të luftës, ku përfshihet edhe çështja e personave të zhdukur.
Ai bëri të ditur se Prokuroria vazhdon të ketë raste aktive në hetim, ndërsa puna përqendrohet në identifikimin dhe përpunimin e rasteve në bashkëpunim me institucionet përkatëse. “Ajo që kemi bërë fillimisht ka qenë strukturimi i Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës me qëllim që të merremi me sfidat e krimeve të luftës. Një ndër sfidat ka qenë edhe çështja e personave të zhdukur.
Ka një rast të hapur për të cilin ne kemi hetuar një kohë të gjatë” – tha Morina. Sipas tij, gjatë mandatit pesëvjeçar të ekipit hetimor, fokusi ka qenë në identifikimin e rasteve dhe trajtimin e tyre në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera përgjegjëse.
“Ne bëjmë identifikimin e rasteve, pastaj përpunimin e atyre rasteve me Policinë e Kosovës dhe organizatat e tjera e institucionet që janë prezentë. Kuptohet, është një çështje, përveçse është e ndjeshme, është shumë komplekse” – u shpreh ai.
Morina theksoi se institucionet përpiqen ta zhvillojnë procesin hetimor me kujdes në mënyrë që familjarët e viktimave të mos përballen sërish me trauma gjatë procedurave. “Ne po mundohemi t’i trajtojmë në atë mënyrë që edhe të bëjmë punën tonë, por edhe mos të shkaktojmë traumatizimin e sërishëm të viktimave” – tha ai.
Ai shtoi se çdo informacion i ri që arrin në Prokurorinë Speciale u përcillet menjëherë institucioneve përgjegjëse për veprimet e mëtejshme.
“Çdo kërkesë që vjen apo çdo informacion që vjen, e transmetojmë te Policia e Kosovës, dhe Policia e Kosovës, së bashku me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore, i kryejnë procedurat, të cilat tashmë janë një lloj standardi i punës sonë të përditshme” – deklaroi Morina.
Duke folur për përmasat e pasojave që ka lënë lufta në rajonin e Drenasit, Skenderajt dhe Vushtrrisë, anëtari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, tha se kjo zonë mbetet ndër më të goditurat, jo vetëm për shkak të krimeve të luftës, por edhe për shkak të mungesës së informacionit për fatin e personave të zhdukur.
“Në përgjithësi, Drenasi, Skënderaj dhe Vushtrria, siç e thamë në dokumentar, prezantojnë një zonë të dëmtuar, jo vetëm në kuptimin e pasojave të luftës, por mbi të gjitha të kësaj pasoje më të madhe që mbetet mungesa e informacionit për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve tanë”, -tha Gara.
Ai bëri të ditur se gjatë 27 vjetëve të fundit janë realizuar 343 lokacione kërkimi në territorin e këtyre tri komunave, bazuar në informacionet e siguruara ndër vite nga institucionet vendore dhe mekanizmat ndërkombëtarë. “Sipas statistikave që kam parë, janë realizuar 343 lokacione në zonat ose fshatrat e këtyre tri komunave.
Pra, në vazhdimësi, çdo informacion që është siguruar, qoftë nga Komisioni Qeveritar apo nga mekanizmat që kanë qenë pjesë e këtij procesi që nga vitet e para pas luftës, është trajtuar”, – tha ai.
Gara rikujtoi se në procesin e kërkimit të personave të zhdukur kanë qenë të angazhuara një varg institucionesh dhe ekipesh mjekoligjore, duke nisur nga Tribunali i Hagës, Kombet e Bashkuara dhe EULEX-i, e deri te Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
Sipas tij, të gjitha këto mekanizma kanë punuar me të njëjtin synim, ndriçimin e së vërtetës dhe lehtësimin e dhimbjes së familjeve. “Gjithmonë kanë qenë përpjekje të vazhdueshme për të ndriçuar të vërtetën, përpjekje të vazhdueshme që familjarëve t’u lehtësohet dhimbja dhe që ankthit të pritjes t’i vijë fundi”, – u shpreh Gara.
Ai shtoi se pothuajse në të gjitha lokacionet e përmendura në dokumentar janë kryer gërmime ose verifikime, ndërsa çdo informacion i ri vazhdon të trajtohet me prioritet nga institucionet përgjegjëse. “Pothuajse në të gjitha këto lokacione kemi qenë.
Dhe kur them kemi qenë, përfshihet një sërë mekanizmash, në mënyrë të veçantë vitet e fundit edhe pas ristrukturimit të ekipeve hetimore në Prokurori dhe në Drejtorinë e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës. Nuk ka rast, nuk ka lokacion, nuk ka informatë e cila nuk do të adresohet me prioritet dhe profesionalizëm”, – tha ai.
Megjithatë, Gara theksoi se, pavarësisht angazhimit institucional, procesi nuk mund të ketë sukses pa mbështetjen dhe qëndrueshmërinë e familjarëve të personave të zhdukur.
“Ky proces, ky angazhim, në asnjë rrethanë nuk mund të bëhet pa mbështetjen, pa angazhimin dhe pa stoicizmin e familjeve dhe familjarëve të personave të zhdukur, të cilët, përkundër dhimbjes, kanë mbështetur vazhdimisht punën e Komisionit Qeveritar. Çdo debat dhe çdo diskutim e filloj pikërisht me këtë falënderim dhe mirënjohje për familjet e personave të zhdukur”, – përfundoi Gara.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se menjëherë pas përfundimit të luftës informacionet për personat e zhdukur ishin më të shumta dhe më të sakta, ndërsa familjarët drejtoheshin fillimisht në Institutin e Mjekësisë Ligjore në kërkim të përgjigjeve për fatin e më të dashurve të tyre.
Ai kujtoi se në vitet e para pas luftës puna zhvillohej mes Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe bazës në Rahovec, ku ekspertët e Tribunalit të Hagës kryen procesin e identifikimit deri në vitin 2003. “Pas luftës informatat kanë qenë më të freskëta, kërkesat kanë qenë më të mëdha dhe familjarët nuk e dinin se ku janë.
Prej adresave të para ishte Instituti i Mjekësisë Ligjore, ndërsa baza në Rahovec u shfrytëzua nga ekspertët e Tribunalit të Hagës deri në vitin 2003. Ajo ishte përgatitur posaçërisht për procesin e identifikimit të personave të zhdukur dhe aty komunikonim me familjarët”, – tha Gërxhaliu.
Gërxhaliu ngriti shqetësimin edhe për mënyrën se si, sipas tij, shumë organizata të ndryshme kanë mbledhur dëshmi nga familjarët pa i përcjellë ato te institucionet përgjegjëse, duke bërë që informacione me vlerë të humbnin. Ai solli si shembull një rast nga viti 2019, kur një familjar iu drejtua Institutit duke kërkuar sqarime për fatin e rastit të tij. “‘Çka u bë me rastin tonë?
Kemi dhënë menjëherë pas luftës deklaratë, e kemi treguar ku dyshojmë, por ju s’jeni marrë me këtë punë’, më tha familjari. Kur e shqyrtova rastin dhe e pyeta kujt ia kishte dhënë deklaratën, ai u përgjigj se nuk e dinte, vetëm se kishin qenë njerëz të huaj”, – tregoi Gërxhaliu.
Ai theksoi se Instituti i Mjekësisë Ligjore mban dosje të veçantë për secilin person të zhdukur, ku ruhen të gjitha të dhënat e mbledhura para identifikimit dhe ato që plotësohen pas identifikimit. “Në Institutin e Mjekësisë Ligjore ekziston arkiva për secilin rast.
Fillimisht ruhet dosja ante-mortem, me historikun e secilit person të zhdukur, ndërsa pas identifikimit ajo plotësohet me të dhënat post-mortem. Më pas, e gjithë lënda i dorëzohet Prokurorisë për procedurat e mëtejshme”, – tha ai.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Zhdukur, Ahmet Grajqevci, rikujtoi angazhimin e tij në kërkimin e personave të zhdukur që nga ditët e para pas luftës, duke thënë se dokumentari ia riktheu kujtimet e një periudhe të mbushur me dhimbje.
Ai tha se, së bashku me Arsim Gërxhaliun, ishte ndër të parët që u angazhua në hulumtimin e krimeve të luftës dhe identifikimin e varrezave masive. “Prej 20 qershorit të vitit 1999 e deri më sot jam në këtë aktivitet. Viti i parë ka qenë vetëm shënjestrimi i varrezave masive dhe identifikimi i dëshmitarëve.
Pastaj, në vitin 2000, kemi filluar zhvarrimet, duke nisur nga varrezat e familjes Jashari. Me Arsimin kemi qenë në çdo vend ku kemi mundur me mbërri”, – tha Grajqevci. Sipas tij, dokumentari riktheu kujtimet e ditëve të para pas luftës, kur dëshmitë e njerëzve ishin vendimtare për zbulimin e varrezave dhe identifikimin e viktimave.
“Dokumentari më ktheu në ditët e para, ma ktheu memorien atje, që ishte e dhimbshme. Dëshmitarët ishin të parët të cilët i kemi marrë. Dëshmia i ndihmon gazetarit, i ndihmon prokurorit, i ndihmon Mjekësisë Ligjore dhe të gjithëve”, – u shpreh ai.
Për të treguar rëndësinë e dëshmive, Grajqevci solli shembullin e Masakrës së Tivarit, ku edhe pas më shumë se tetë dekadash vazhdojnë të dalin informacione të reja. “Pas 81 vjetëve zbulohet një dëshmi e vërtetë. Një boshnjak thotë: ‘Në oborrin tim janë tre shqiptarë të varrosur. Nuk mund të vdes pa i tërhequr dikush ata trupa dhe pa i treguar’.
Kjo tregon se nuk është kurrë vonë për të folur. Dy rreshta informacion mund të çojnë deri te zbulimi i së vërtetës”, – tha ai. Ai u bëri thirrje të gjithë atyre që mund të kenë njohuri për vendndodhjen e varrezave apo për ngjarjet e luftës që të ndajnë informacionet me institucionet. “Nuk është vonë.
Kushdo që merret me këtë çështje duhet të vëzhgojë me syrin, ta dëgjojë me veshin dhe të mbajë qoftë edhe dy fjalë shënim. Edhe një informacion i vogël mund të ndihmojë në zbardhjen e një rasti”, – deklaroi Grajqevci. Duke folur për mbështetjen ndaj familjeve të personave të zhdukur, ai vlerësoi se shteti nuk ka bërë mjaftueshëm, veçanërisht në ofrimin e ndihmës psikologjike.
“Shteti, që nga fillimi, të gjithë kanë punuar nga pak, por askush nuk ka punuar boll. Nuk ka pasur interesim të mjaftueshëm për trajtimin psikosocial dhe psikologjik të familjeve të personave të zhdukur. Këto kategori kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë nevojë për mbështetje profesionale”, – tha ai.
Grajqevci kritikoi ndryshimet e shpeshta institucionale në procesin e trajtimit të krimeve të luftës, duke thënë se ato kanë dëmtuar vazhdimësinë e punës. “Ndërrimi i strukturave të këtij procesi është i dëmshëm. Nuk guxon të ndërrohet një strukturë që ka hyrë në binarët e procesit vetëm pse ka ndryshuar pushteti.
Ne kemi kërkuar një departament special për çështjet e krimeve të luftës, por kjo nuk është bërë”, – përfundoi ai. Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më në qeli teksa po mbahej në paraburgim. Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më në qeli teksa po mbahej në paraburgim. Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.
