Të akuzuarit për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit nuk e pranojnë

0%

Të akuzuarit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, i cili po mbrohet në liri, nuk e kanë pranuar fajësinë për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, gjatë paraqitjes së tyre në Gjykatën Themelore në Prishtinë. I akuzuari Jovan Viqentijeviq deklaroi para gjykatës se nuk ndihet fajtor për akuzat që rëndojnë mbi të.

“Jo, nuk ndihem fajtor”, tha ai. Edhe i akuzuari Dragisha Viqentijeviq mohoi përgjegjësinë për veprat penale për të cilat akuzohet. “Nuk ndihem fajtor për veprat që më bien në barrë”, tha ai. Ndërsa, i akuzuari Igor Dimoviq, i cili po mbrohet në liri, po ashtu deklaroi se nuk e pranon fajësinë. “Nuk ndihem fajtor për veprën që më vihet në barrë”, tha ai.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më , rreth orës , në fshatin Varagë të Komunës së Zubin-Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të Ibër-Lepencit, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për nevojat e Korporatës Energjetike të Kosovës për prodhimin e energjisë elektrike.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në aktakuzën e ngritur nga prokurori special Bekim Kodraliu thuhet se të akuzuarit, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, pas një marrëveshjeje paraprake dhe me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë dhe rrezikimit të rendit kushtetues e sigurisë së Republikës së Kosovës, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit Trinitrotoluene (TNT) brenda kanalit.

Sipas Prokurorisë, eksplozivi ishte vendosur në një çantë të lidhur me litar në një shtyllë betoni, në mënyrë që të shkaktonte dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe energji elektrike.

Aktakuza thotë se të pandehurit kanë aktivizuar lëndën shpërthyese përmes ndezjes së një fitili me djegie të ngadalshme, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që dëmtoi rëndë strukturën e betonit të kanalit të Ibër-Lepencit.

Si pasojë e shpërthimit, sipas Prokurorisë, ishte ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore të Kosovës, ishte penguar furnizimi me ujë për KEK-un dhe ishte rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike në nivel vendi.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë, si dhe dëmtim të infrastrukturës kritike të shtetit. Dëmi material i shkaktuar ndaj ndërmarrjes Ibër-Lepenc vlerësohet në 376 mijë e 774 euro e 70 centë.

Ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, në lidhje me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Kosovës. Në pikën e dytë të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas Prokurorisë, gjatë kontrolleve të realizuara nga Policia e Kosovës në shtëpitë e tyre në Zubin-Potok dhe në fshatin Prevllak të kësaj komune, është gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme armatimi luftarak.

Burimi: Bota Sot