Manchester Unitedit i ka marrë fund përpjekja për transferimin e Aurélien Tchouaménit, pasi mesfushori francez ka vendosur ta vazhdojë karrierën te Real Madridi. “Djajtë e Kuq” e kishin identifikuar 25-vjeçarin si objektivin kryesor për të përforcuar mesfushën, por drejtuesit e Real Madridit kanë vepruar shpejt duke siguruar rinovimin afatgjatë të kontratës së tij.
Sipas “AS”, klubi madrilen refuzoi të dëgjonte çdo ofertë për reprezentuesin francez, i cili gjithashtu ishte i vendosur të qëndronte në kryeqytetin spanjoll dhe ka pranuar një kontratë të re pesëvjeçare.
Rinovimi vjen në një periudhë kur shumë prej klubeve më të mëdha të Evropës po monitorojnë nga afër yjet e rinj të Real Madridit, por “Los Blancos” kanë mbetur të palëkundur në qëndrimin e tyre. Me kontratën e re deri në vitin 2031, Real Madridi siguron që një nga mesfushorët më të mirë në botë për rikuperimin e topit do të vazhdojë të jetë pjesë kyçe e projektit të klubit.
Edhe pse raportime të ndryshme kishin pretenduar se Tchouaméni do të përfitonte një rritje të madhe page, detajet financiare të marrëveshjes tashmë janë bërë të ditura. Sipas raportit, francezi do të përfitojë rreth nëntë milionë euro në sezon, dhe jo 13 milionë euro, siç ishte raportuar më parë.
Tchouaméni beson se Real Madridi është vendi ideal për zhvillimin e tij sportiv, ndërsa marrëveshja mes përfaqësuesve të tij dhe klubit u arrit pa vështirësi të mëdha. Procesi i rinovimit ka qenë i thjeshtë, kryesisht falë dëshirës së qartë të të dyja palëve për ta vazhduar bashkëpunimin. Kjo ka qenë në kontrast të plotë me zhurmën e krijuar nga interesimi i klubeve të Premierligës.
Manchester Unitedi bëri përpjekje konkrete për ta bindur mesfushorin të transferohej në “Old Trafford”, por Real Madridi nuk pranoi as të shqyrtonte ofertat për një nga lojtarët më të rëndësishëm të mesfushës. Sipas raportimeve, drejtuesit e Unitedit e kuptuan shumë shpejt se çdo tentativë ishte e destinuar të dështonte.
As klubi madrilen dhe as vetë lojtari nuk e kanë konsideruar ndonjëherë mundësinë e një transferimi. Tchouaméni ua ka bërë të qartë të gjithëve se dëshira e tij e vetme është të vazhdojë karrierën te Real Madridi dhe ta forcojë edhe më shumë lidhjen me klubin, pasi ndihet plotësisht i identifikuar me ekipin, qytetin dhe vlerat e institucionit madrilen”.
