Këtë verë, Prishtina do të pres një prej programeve më të gjera muzikore të Sunny Hill Festival, me yje ndërkombëtare, DJ të njohur botëror, artistë shqiptarë dhe zëra të rinj që po i japin formë skenës lokale. Sunny Hill Festival ka zbuluar zyrtarisht programin e plotë për edicionin e vitit 2026, i cili do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht në Sunny Hill Festival Park, në Prishtinë.
Me Katy Perry, Lewis Capaldi dhe Martin Garrix në krye të programit, edicioni i këtij viti sjell në Kosovë disa nga emrat më të njohur të skenës ndërkombëtare. Zbulimi i plotë i programit shënon një nga momentet më të pritura të verës për publikun në vend, rajon dhe më gjerë.
Në Sunny Hill Stage, festivali sjell emrat kryesorë të edicionit, përfshirë Katy Perry, Lewis Capaldi, Martin Garrix, Dhurata Dora, Blanco, Esdeekid, Tyson O’Brien dhe artistë të tjerë që përfaqësojnë energjinë kryesore të programit. Kjo skenë mbetet hapësira ku takohen yjet ndërkombëtarë, artistët më të dashur shqiptarë dhe publiku i madh i festivalit.
Në anën tjetër, C4 Stage e forcon identitetin elektronik të Sunny Hill Festival, me emra si Seth Troxler, PAWSA, Adam Port & Rampa, Carlita, Salomé Le Chat, Tommy Gold, Gjin dhe Kamelia.
Ky program sjell në Prishtinë një pjesë të rëndësishme të skenës elektronike ndërkombëtare, duke e bërë festivalin destinacion edhe për publikun që ndjek tingujt e house, techno dhe performancat e klubeve e festivaleve më të njohura. Një pjesë e veçantë e edicionit 2026 është edhe hapësira për skenën lokale, alternative dhe artistët në rritje.
Përmes The Next Stage dhe The Satellite, Sunny Hill Festival krijon vend për emra si Asgjë Sikur Dielli, La Fazani, Sytë, Bana Zahiti, Erëza, Jolle, Rrezze, The Milk Snatchers, Anitë, Artssassin, Halfpint, Locky, Malix, Nautica, Sindicato Del Baile, Uran B dhe Us Two, duke e bërë programin jo vetëm ndërkombëtar, por edhe të lidhur ngushtë me skenën muzikore vendore dhe rajonale.
Ky kombinim e bën edicionin e vitit 2026 një nga programet më të plota të Sunny Hill Festival deri më tani. Në të njëjtin festival, publiku do të ketë mundësi të ndjekë emra të mëdhenj botërorë, artistë të njohur shqiptarë, DJ të skenës elektronike dhe performues të rinj që po ndërtojnë identitetin e tyre muzikor.
Me këtë program, Sunny Hill Festival vazhdon të pozicionohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në rajon. Për Prishtinën, festivali nuk është vetëm një ngjarje treditore, por një moment kulturor që sjell publik, media, artistë dhe vëmendje ndërkombëtare në kryeqytet.
Përtej skenës muzikore, Sunny Hill Festival vazhdon të ketë ndikim në gjallërimin e qytetit gjatë sezonit veror, duke kontribuar në hoteleri, gastronomi, transport dhe shërbime lokale. Në të njëjtën kohë, festivali luan rol në mënyrën se si Kosova prezantohet jashtë vendit: si një destinacion i ri, energjik dhe gjithnjë e më i pranishëm në hartën kulturore të rajonit.
Me programin tashmë të plotë, Sunny Hill Festival 2026 hyn në fazën më dinamike të përgatitjeve, ndërsa Prishtina bëhet gati për tri ditë muzikë, skena të ndryshme dhe një program që bashkon emrat globalë me energjinë e publikut vendor dhe rajonal.
