Nuk ishte kjo ajo Kupë e Botës që kishin ëndërruar Son Heung-min dhe Koreja e Jugut. “Taegeuk Warriors” u eliminuan që në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026, pas humbjes së papritur 1-0 ndaj Afrikës së Jugut në ndeshjen e fundit të Grupit A.
Zhgënjimi në Korenë e Jugut ishte i madh dhe kapiteni Son Heung-min reagoi menjëherë përmes një mesazhi të gjatë në Instagram, duke u kërkuar falje tifozëve. “Dua t’u shpreh faljet e mia më të sinqerta popullit të Koresë dhe të gjithë tifozëve që e duan futbollin. Si dikush që e do këtë sport, e di sa të zhgënjyer, të frustruar dhe të lënduar jeni.
Një fjalë ‘më fal’ nuk mjafton për të përshkruar atë që ndiej”, shkroi ylli i LAFC. Pas eliminimit, reagimet në vend ishin të menjëhershme.
Transmetuesi kombëtar KBS madje ia mjegulloi fytyrën trajnerit Hong Myung-bo gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes, ndërsa presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, kritikoi ashpër emërimin e trajnerit, duke deklaruar se “kompetenca nuk ishte prioritet” në përzgjedhjen e tij. Përballë kritikave të mëdha, Hong Myung-bo njoftoi dorëheqjen nga posti i trajnerit.
“Ende nuk është e lehtë ta pranoj këtë realitet. Kur mendoj për tifozët që po përjetojnë një zhgënjim edhe më të madh se unë, e kam të vështirë të flas për ndjenjat e mia. Ndjej një përgjegjësi të madhe sepse nuk arrita t’jua shpërblej mbështetjen dhe dashurinë që na keni dhënë”, shtoi Son.
Koreja e Jugut realizoi vetëm dy gola gjatë gjithë turneut, numri më i ulët i golave të saj në një Kupë Bote që nga viti 1998. Pavarësisht dështimit, Son u bëri thirrje tifozëve që të mos sulmojnë futbollistët dhe premtoi se do të vazhdojë të luftojë për fanellën e kombëtares. “Do të bëj gjithçka që mundem për të ndryshuar mendimin e tifozëve dhe për t’ju sjellë sërish gëzim.
Nuk e kam harruar kurrë premtimin që u kam bërë tifozëve të mi dhe do të jap gjithçka nga vetja për sa kohë që ata do të kenë nevojë për mua.” Në fund, kapiteni korean pati edhe një mesazh të veçantë për tifozët: “Në vend që t’i kritikoni dhe t’i lëndoni lojtarët, ju kërkoj me sinqeritet t’u jepni mbështetje dhe inkurajim, edhe pse e di se në këto momente është e vështirë.
Më vjen shumë, shumë keq”, deklaroi Son.
