Ylli i NBA-së, Ja Morant, do ta vazhdojë karrierën te Portland Trail Blazers, pasi u shkëmbye nga Memphis Grizzlies në një marrëveshje ku në drejtim të Memphisit kalojnë Jerami Grant dhe Kris Murray. Lajmi është raportuar nga një numër i madh mediash amerikane.
Morant u përzgjodh si zgjedhja e dytë në Draftin e NBA-së në vitin 2019 dhe shkëlqeu menjëherë në sezonin debutues, duke fituar çmimin Rookie of the Year. Ai regjistroi mesatare prej 17.8 pikësh, 7.3 asistimesh dhe 3.9 kërcimesh për ndeshje.
Basketbollisti 26-vjeçar është përzgjedhur dy herë në ndeshjen prestigjioze All-Star, por tri sezonet e fundit janë shoqëruar me lëndime të shumta dhe incidente jashtë parketit, të cilat i sollën edhe pezullime. Sezonin e kaluar ai zhvilloi vetëm 20 ndeshje me Memphisin, ndërsa në tri sezonet e fundit ka luajtur gjithsej vetëm 79 takime.
Sipas kontratës aktuale, Morant pritet të përfitojë mbi 87 milionë dollarë (rreth 76 milionë euro) gjatë dy sezoneve të ardhshme. Nga ana tjetër, Grant pati mesatare prej 18.6 pikësh dhe 3.5 kërcimesh për ndeshje sezonin e kaluar, ndërsa Murray, në tri sezonet e tij në NBA, ka mesatare prej 5.3 pikësh për ndeshje.
