Tensionet pas ndeshjes së fazës së 1/16 së finales së Kupës së Botës 2026 mes Francës dhe Paraguajit nuk janë qetësuar, ndërsa në rrjetet sociale kanë qarkulluar pamje që kanë shkaktuar reagime të shumta.
Sipas raportimit të medias franceze TF1 Info , gjatë festivalit tradicional San Juan Ara në Paraguaj, një grup pjesëmarrësish dogjën një kukull të improvizuar që paraqiste kapitenin e Francës, Kylian Mbappe, veprim që është dënuar gjerësisht si i papranueshëm.
Pamjet e incidentit u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të forta si në Francë ashtu edhe në opinionin ndërkombëtar. 🇫🇷🇵🇾 FLASH | Un mannequin à l’effigie de Kylian Mbappé a été brûlé au Paraguay. pic.twitter.com/dtrQ8VsuPL — AlertesInfos (@AlertesInfos) July 8, 2026 Eliminimi i Paraguajit nga Franca në fazën e 1/16 së finales duket se ka lënë shije të hidhur te një pjesë e tifozëve, ndërsa Mbappe, si lideri i “Les Bleus”, është kthyer në objektivin kryesor të zemërimit të tyre.
Ngjarja vjen pas polemikave të mëparshme të shkaktuara nga deklaratat me përmbajtje raciste të një senatoreje paraguaiane ndaj sulmuesit francez, të cilat rritën tensionet dhe shkaktuan reagime edhe në nivel diplomatik.
Pas publikimit të videove të djegies së kukullës së Mbappes, shumë zëra e kanë cilësuar incidentin si një akt të papranueshëm, ndërsa FIFA pritet të jetë nën presion për të shqyrtuar ngjarjen dhe për të vendosur nëse do të ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me sjelljen e tifozëve dhe personave të përfshirë.
