Mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni, është vënë nën hetim nga Prokuroria e Milanos në kuadër të një hetimi më të gjerë për një rrjet të dyshuar që lidhet me prostitucionin e të miturve. Bëhet fjalë për një procedurë paraprake hetimore, ndërsa autoritetet italiane po shqyrtojnë rolin e personave të përfshirë në këtë çështje.
Sipas mediave italiane, emri i Bastonit është përfshirë në hetim për shkak të dyshimeve se ai mund të ketë pasur kontakte me një vajzë 17-vjeçare në vitin 2020, e cila dyshohet se ishte pjesë e një rrjeti eskortash.
Megjithatë, vajza në fjalë ka mohuar gjatë dëshmisë së saj se ka pasur një marrëdhënie me futbollistin, ndërsa hetuesit po analizojnë prova të tjera, përfshirë përgjime dhe komunikime të sekuestruara. Bastoni ka marrë një njoftim zyrtar për hetim dhe pritet të merret në pyetje nga prokurorët.
Avokati i tij deklaroi se futbollisti është “shumë i tronditur” nga zhvillimet dhe mohoi çdo shkelje, duke theksuar se klienti i tij nuk ka pasur marrëdhënie me të mitura. Raportohet se në dosjen e hetimit përmenden edhe emra të tjerë të futbollistëve të njohur të Serie A, por aktualisht ata konsiderohen vetëm si dëshmitarë dhe jo si persona nën hetim.
Hetimet vazhdojnë dhe deri në përfundimin e tyre nuk është ngritur asnjë akuzë formale ndaj Bastonit.
