Shoqata e Qumështorëve të Kosovës ka ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me gjendjen në sektorin e qumështit dhe ndikimin e përdorimit të vajit të palmës në industrinë përpunuese. Sipas tyre, përdorimi i vajit të palmës në produktet e qumështit duhet të ndalohet menjëherë në fabrikat e përpunimit, pasi po dëmton rëndë prodhimin vendor dhe ekonominë e fermerëve lokalë.
Në deklaratë thuhet se “vaji i palmës është duke i shkatërruar dhe mbyllur fermat vendore”, duke shtuar se ai po ndikon negativisht edhe në shëndetin e konsumatorëve, si dhe po i bën të pavlefshme skemat e mbështetjes qeveritare për sektorin e qumështit. Po ashtu, shoqata thekson se produktet me vaj palme dhe qumësht pluhur po e dëmtojnë imazhin e prodhimeve vendore në treg.
Në kërkesat e tyre drejtuar institucioneve, ata theksojnë: Qumështi i fermerëve duhet të grumbullohet në çdo cep të Republikës së Kosovës. Çmimi i qumështit të fermave duhet të kthehet në nivelin e mëparshëm. Të ndalen reduktimet pa arsye të forta ekonomike. Të përfundojnë vonesat në pagesat e qumështit, të cilat sipas tyre po zgjasin 3–6 muaj.
Shoqata apelon për ndërhyrje urgjente institucionale për të stabilizuar tregun dhe për të mbrojtur prodhimin vendor të qumështit në Kosovë.
