Numri zyrtar i të vdekurve nga tërmetet shkatërruese të Venezuelës ka shkuar gati në 4500 persona të dielën, pasi qeveria ka raportuar se më shumë se 19.500 persona tani po jetojnë në kampe për shkak të shkatërrimit, ka raportuar të hënën () Euronews .
Numri i fundit i pasqyruar nga qeveria në llogarinë e saj zyrtare në Telegram renditi 4.490 të vdekur, rreth 150 më shumë se një ditë më parë, dhe 16.740 të plagosur. Ekzekutivi nuk ka ofruar ndonjë shifër për numrin e personave ende të pagjetur.
Më 24 qershor, tërmetet prej 7.2 dhe 7.5 ballësh goditën Karakasin dhe shtetin bregdetar La Guaira, duke shembur blloqe të tëra apartamentesh të larta dhe duke i kthyer në grumbuj rrënojash. Kampet për familjet e mbetura pa strehim janë ngritur në stadiume, sheshe dhe në trotuare në La Guaira, si dhe përreth Karakasit.
Sipas përditësimit të qeverisë thuhet se 19.583 persona po qëndrojnë në kampe. Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, vëllai i udhëheqëses së përkohshme, Delcy Rodríguez, ka deklaruar të shtunën se qeveria gjatë ditëve të ardhshme do t’u ofrojë familjeve disa banesa që ishin në ndërtim e sipër para tërmetit.
Por ai ka shtuar se do të nevojiten burime të konsiderueshme për të ndërtuar më shumë, për të ofruar ndihmë për qira dhe kredi për blerjen e pronave. Qeveria ka ndarë më shumë se 40 parcela toke në La Guaira, me një sipërfaqe totale prej rreth 584.000 metrash katrorë, për ndërtimin e shtëpive të reja, ka thënë Rodriguez.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Yvan Gil, ka raportuar në llogarinë e tij në Telegram të dielën se ka mbërritur një dërgesë ndihmash nga Rusia. Ambasada e SHBA-së ka thënë se ka dërguar 100 mijë pako me ndihma për komunitetet e prekura. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
