Politikani ultranacionalist serb, Vojislav Sheshel, ka përsëritur deklaratat e tij duke mohuar se në Srebrenicë është kryer gjenocid, në kundërshtim me vendimet e formës së prerë të gjykatave ndërkombëtare që e kanë cilësuar masakrën e korrikut 1995 si gjenocid.
Gjatë një debati televiziv në Serbi, Sheshel e përshkroi 11 korrikun 1995 si ditën e “çlirimit” të Srebrenicës dhe një “festë për popullin serb”, ndërsa hodhi poshtë përcaktimin juridik të krimeve si gjenocid.
Ai pretendoi se një pjesë e viktimave ishin luftëtarë të vrarë gjatë luftimeve ose gjatë tërheqjes drejt Tuzlës dhe vuri në dyshim numrin e viktimave të pranuar nga institucionet ndërkombëtare, duke argumentuar se numri i personave të ekzekutuar ishte më i ulët se ai i dokumentuar. Në debat, Sheshel foli edhe për ekzekutimet me një gjuhë që shkaktoi reagime.
Kur tha se “ata që nuk kanë pushkatuar kurrë askënd nuk e dinë se si është”, gazetari e pyeti: “Po ju, si e dini se si është?”. Sheshel iu përgjigj duke e cilësuar pyetjen “shumë pa shije”, pa dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë.
Ai mohoi gjithashtu se ka ekzistuar një urdhër i centralizuar për ekzekutimet dhe pretendoi se ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç, nuk mban përgjegjësi për vrasjet. Po ashtu, ai kritikoi ceremonitë përkujtimore në Qendrën Memoriale të Potoçarit, duke vënë në pikëpyetje listat e viktimave.
Deklaratat e Sheshelit përputhen me narrativën mohuese që vazhdon të promovohet nga disa figura politike dhe nacionaliste në Serbi, të cilat kundërshtojnë faktet e përcaktuara nga drejtësia ndërkombëtare lidhur me ngjarjet në Srebrenicë.
Megjithatë, Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) kanë konstatuar me vendime të formës së prerë se masakra e Srebrenicës përbën gjenocid. Sipas gjetjeve të këtyre gjykatave, më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë u ekzekutuan nga forcat serbe të Bosnjës pas rënies së enklavës në korrik të vitit 1995.
Për këto krime janë dënuar, ndër të tjerë, ish-komandanti ushtarak Ratko Mlladiç dhe ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç.
Pavarësisht këtyre vendimeve, mohimi ose relativizimi i gjenocidit në Srebrenicë vazhdon të jetë i pranishëm në diskursin e disa politikanëve dhe figurave publike në Serbi, duke nxitur reagime dhe kritika nga institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës, organizatat ndërkombëtare dhe shoqatat e familjarëve të viktimave. /TheGeoPost
