Selektori i Egjiptit Hossam Hassan ka reaguar me zemërim të madh pas humbjes dramatike të Egjiptit me rezultat 3:2 ndaj Argjentina në të tetën e finales së Kampionatit Botëror, duke lëshuar akuza të rënda në drejtim të FIFA-s.
Trajneri egjiptian nuk përdori aspak diplomaci në konferencën për media pas ndeshjes, edhe pse e pranoi se deklaratat e tij mund t’i sjellin ndëshkime nga organi më i lartë i futbollit botëror. “Kjo ishte një ndeshje e kurdisur. Nëse FIFA ka vendosur që Argjentina të shpallet kampione e botës dhe ta çojë deri te titulli, atëherë le ta thonë hapur, që ne të tjerët të mos lodhemi kot.
Ky futboll nuk ka asnjë lidhje me ‘fair-play’-n, nuk ka drejtësi dhe nuk ka respekt. Ky është Kampionati Botëror më i turpshëm që kam parë”, deklaroi Hossam Hassan. Ai pretendoi se arbitri ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes.
Sipas tij, goli i dytë i Argjentinës u shënua pas një situate të dyshimtë, ndërsa në minutat e fundit Egjiptit iu mohua një penallti e pastër ndaj Mohamed Salah. Deklaratat e trajnerit egjiptian pritet të shkaktojnë debat të madh në opinionin sportiv, ndërsa mbetet të shihet nëse FIFA do të ndërmarrë masa disiplinore ndaj tij për akuzat e rënda ndaj organizatës dhe arbitrimit.
Egjipti u eliminua pas një ndeshjeje spektakolare, ndonëse kishte krijuar epërsi prej 2:0, ndërsa Argjentina arriti përmbysjen e madhe duke siguruar kualifikimin në çerekfinale të Kampionatit Botëror.
