Rritet numri i viktimave nga Ebola në Kongo

0%

Virusi Ebola ka shkaktuar deri tani 304 viktima, ndërsa në Republikën Demokratike të Kongos autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar gjithsej 1 mijë e 155 raste të infeksionit. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara, vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 37 raste të reja dhe 5 humbje jete.

Autoritetet theksojnë se forcimi i mbikëqyrjes epidemiologjike ka mundësuar identifikim më të hershëm të rasteve, duke konfirmuar një rritje të vazhdueshme javore të transmetimit të virusit. Epidemia aktuale, e shpallur më 15 maj, lidhet me llojin Budibugio të virusit Ebola, një variant i rrallë për të cilin nuk ekziston trajtim apo vaksinë specifike.

Ndryshe nga ky variant, shumica e shpërthimeve të mëparshme janë shkaktuar nga lloji Zaire, për të cilin tashmë ka vaksinë. Kjo është epidemia e 17-të e regjistruar në këtë vend të madh të Afrikës Qendrore, me rreth 100 milionë banorë. Sipas autoriteteve shëndetësore, dyshohet se virusi ka qarkulluar për një periudhë kohe pa u zbuluar, përpara se të deklarohej zyrtarisht shpërthimi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në nivel global, Ebola ka shkaktuar të paktën 15 mijë viktima në Afrikë gjatë pesë dekadave të fundit, ndërsa shkalla e vdekshmërisë së sëmundjes varion nga 25% deri në 90%, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Në Republikën Demokratike të Kongos, shpërthimi më vdekjeprurës më parë ka shkaktuar rreth 2 mijë e 300 viktima nga gjithsej 3 mijë e 500 raste të regjistruara mes viteve 2018 dhe 2020. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com