Policia e Shtetit në Shqipëri, më , ka arrestuar një 35-vjeçar, i cili u kap me sasi të disa lëndëve narkotike. Siç bëhet e ditur, operacioni kishte në fokus identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që “individualisht ose në grupe” janë përfshirë në sigurimin dhe shitjen e lëndëve narkotike në zona të ndryshme të Tiranës.
“Në vijim të operacioneve të zhvilluara nga Policia e Tiranës, me fokus identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që individualisht ose në grupe, janë përfshirë në sigurimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, në zona të ndryshme të kryeqytetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve finalizuan operacionin e koduar ‘Implikimi’” – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Gjatë operacionit u ndalua në afërsi të një njësie pushimi, në fshatin Bërzhitë, dhe u vu në pranga shtetasi E. T., banues në Tiranë, të cilit gjatë kontrollit fizik dhe në banesë iu gjetën dy lloje të narkotikëve dhe një shumë parash.
“Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, atij iu gjetën: 833 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, 576 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 930 euro të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike. Lëndët dhe paratë u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin e të arrestuarit” – thuhet në njoftim.
Sipas hetimeve i arrestuari dyshohet se i kishte siguruar lëndët narkotike, me qëllim të shitjes në sasi të konsiderueshme, kryesisht në zonën ku u kap dhe në qytetin Studenti.
