Nxënësja Riga Syla, e klasës 3/1 në SHFMU “Daut Bogujevci”, ka arritur është shpallur kampione në World Youth Science Competition 2026, një garë ndërkombëtare online në lëndën e Shkencës, e organizuar për nxënës të shkollave nga vende të ndryshme të botës.
Sipas njoftimit të shkollës nga Fushë Kosova, gara është zhvilluar në gjuhën angleze dhe ka vlerësuar njohuritë, aftësitë dhe kompetencat shkencore të pjesëmarrësve. Bazuar në rezultatet zyrtare të organizatorëve, Riga Syla është shpallur “Champion”, duke zënë vendin e parë në kategorinë e saj.
Shkolla vlerësoi se ky sukses është dëshmi e përkushtimit, punës dhe talentit të nxënëses, duke e cilësuar arritjen si një moment krenarie për të gjithë komunitetin shkollor. Në urimin e saj, SHFMU “Daut Bogujevci” i dëshiroi Rigës suksese të mëtejshme në rrugëtimin arsimor dhe në garat e ardhshme, duke theksuar se krenohet me arritjet e nxënësve të saj.
Si dëshmi e suksesit në këtë garë, familja ka prezantuar edhe njoftimin nga organizatori, ku njoftohen se Riga është shpallur kampion. Emri i saj si fituese e garës figuron edhe në uebfaqen e World Youth Sciente Competition 2026.
Aty thuhet se World Youth Science Competition 2026 është një garë ndërkombëtare online për nxënës dhe të rinj, e cila synon të testojë njohuritë dhe aftësitë e tyre në shkencat natyrore, të menduarit logjik dhe arsyetimin shkencor, aftësinë për të analizuar dhe zgjidhur probleme shkencore dhe përdorimin praktik të njohurive shkencore.
Ajo mbahet nw gjuhen angleze dhe organizohet nga platforma WYTEA (World Youth Talent/Teaching & Education Association) si një konkurs online me pjesëmarrje globale, por jo si një olimpiadë zyrtare ndërkombëtare.
