Për shkak të motit të ligë qe e ka përfshirë vendin, Komuna e Çairit njoftoi se ekipet komunale, NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Shtabi i Krizave dhe shërbimet e tjera kompetente janë në terren dhe po monitorojnë situatën, duke ndërhyrë aty ku paraqitet nevoja. Sipas njoftimit, shërbimet do të jenë në dispozicion gjatë gjithë natës për t’iu përgjigjur pasojave të reshjeve dhe erërave të forta.
Njoftimi i plotë: “Për shkak të motit të ligë që ka përfshirë Shkupin, ekipet e Komunës së Çairit, ekipet e NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Shtabi i Krizave, si dhe shërbimet e tjera kompetente, janë në terren dhe në koordinim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse, duke monitoruar gjendjen dhe duke ndërhyrë kudo që paraqitet nevoja.
Shërbimet komunale do të jenë në dispozicion gjatë gjithë natës për të reaguar ndaj çdo situate të shkaktuar nga reshjet dhe erërat e forta. Apelojmë te qytetarët të tregojnë kujdes, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të bashkëpunojnë me shërbimet kompetente.
Qytetarët që evidentojnë drunj të rrëzuar, degë të thyera apo pengesa të tjera në rrugë, luten t’i paraqesin në numrin 112, në mënyrë që ekipet të mund të ndërhyjnë sa më shpejt. Të gjitha ekipet janë vazhdimisht në terren dhe po punojnë për sanimin e situatës dhe ofrimin e ndihmës kudo që paraqitet nevoja. Siguria e qytetarëve mbetet prioriteti ynë”.
Kujtojmë se për shkak të reshjeve të shiut situata është dukshëm e rënduar edhe nëpër disa qytete të tjera, deri më tani janë raportuar përmbytje nëpër disa zona si dhe bllokime të disa kanaleve të ujrave atmosferikë dhe ujrave të zeza.
