Franca ashpërson ligjet: Miratohet burgimi i përjetshëm për abuzuesit

0%

Qeveria franceze ka miratuar një amendament të ri ligjor që parashikon dënime drastike për autorët e krimeve të rënda seksuale ndaj fëmijëve. Lajmi është bërë me dije nga Kryeministri francez, Sébastien Lecourny, i cili njoftoi ashpërsimin e ligjit për mbrojtjen e të miturve dhe përshpejtimin e procedurave hetimore.

Ky vendim i ekzekutivit francez vjen më pak se një muaj pas përdhunimit dhe vrasjes makabre të 11-vjeçares Liana, një ngjarje që tronditi thellë opinionin publik në Francë dhe riktheu me forcë debatin për dënimet ndaj krimeve të kësaj natyre.

Sipas ndryshimeve të reja ligjore, hetimet për krimet seksuale ndaj fëmijëve nuk do të zvarriten më nëpër sirtarët e drejtësisë, por duhet të përfundojnë brenda një afati maksimal prej tre muajsh. Ndërkohë, autorët që shpallen fajtorë për raste të rënda dhe të përsëritura do të përballen me dënimin maksimal: burgim të përjetshëm.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Përveç kësaj, qeveria synon të rishikojë rregullat për lirimin e parakohshëm, duke ua bërë të pamundur këtyre personave daljen e parakohshme nga qelia. Reforma e re prek drejtpërdrejt edhe institucionet arsimore dhe aktivitetet jashtëshkollore. Do të ketë një forcim të rreptë të kontrolleve mbi të dhënat dhe historikun e të gjithë personave që punojnë apo që kanë kontakt me fëmijët.

Gjithashtu, prindërit do të kenë të drejtë të informohen plotësisht mbi identitetin dhe të kaluarën e kujdestarëve apo personave që mbikëqyrin fëmijët e tyre para dhe pas orarit mësimor. Kjo paketë masash përbën reformën e dytë të rëndësishme për mbrojtjen e fëmijëve në vend.

Projektligji pritet të kalojë për diskutim dhe votim në Asamblenë Kombëtare franceze duke filluar nga data 15 korrik. Kryeministri Lecourny u ka bërë thirrje publike deputetëve që të përshpejtojnë shqyrtimin në mënyrë që masat e reja të hyjnë në fuqi sa më parë.

Burimi: Bota Sot