Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook se ekipi mjekësor i Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale në QKUK, ka realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale e rrallë tek një i porsalindur njëjavësh, i diagnostikuar me teratomë kongjenitale orofaringo-nazofaringeale (Epignathus), një patologji jashtëzakonisht e rrallë që rrezikonte seriozisht frymëmarrjen dhe ushqyerjen.
Me incidencë rreth 1 në 35.000 deri në 1 në 200.000 lindje të gjalla, dhe shoqërohet me mortalitet të lartë, deri në 80–100% nëse nuk sigurohet në kohë rrugët e frymëmarrjes. “Pas diagnostikimit të hershëm dhe sigurimit emergjent të rrugëve të frymëmarrjes nga ekipi i Klinikës së Neonatologjisë pacienti iu nënshtrua ekzaminimeve të nevojshme radiologjike dhe vlerësimit multidiciplinar.
Menaxhimi u realizua nga ekipi i Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale, në bashkëpunim të ngushtë me ekipet e Neonatologjisë, Anesteziologjisë, Radiologjisë dhe Institutit të Patologjisë “, thuhet në njoftimin e QKUK. Tutje thuhet se operacioni u realizua nga ekipi mjekësor i Klinikës së Kirurgjisë Maksillofaciale, nën udhëheqjen e dr.
Alban Olluri, me mbështetjen e ekipit të anesteziologëve të udhëhequr nga dr. Agreta Gashi Gecaj. “Tumori u largua në tërësi, me ruajtjen maksimale të strukturave anatomike përreth dhe pa komplikime intraoperative. Ecuria postoperative ka qenë shumë e favorshme, foshnja merr frymë spontanisht, ushqehet normalisht dhe vazhdon të jetë nën përkujdesjen e ekipeve mjekësore”.
“Ky rast është ndër rastet më të suksesshme dhe të rëndësishme për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës duke treguar nivelin e lartë të ekspertizës profesionale, bashkëpunimit multidisiplinar dhe kapaciteteve klinike në trajtimin e patologjive të rralla dhe komplekse tek foshnjat “, thuhet në fund të njoftimit. https://www.facebook.com/share/p/18yqvmaZez/ Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
