Ekskluzive | Tentuan të kontrabandojnë katër kallashnikovë të fshehur

0%

Një operacion i zhvilluar në fshehtësi të plotë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda (DHKOKR) ka parandaluar kontrabandimin e një arsenali armësh drejt Francës, ndërsa një 26-vjeçar ka përfunduar në pranga, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se gjithçka nisi më 25 qershor, kur hetuesit pranuan informacione operative se në depon e agjencisë turistike “DONI Tourist” në Podujevë ndodheshin dy dritare plastike brenda të cilave dyshohej se ishin fshehur armë.

Pas kontrollit të detajuar, Policia zbuloi se brenda dritareve ishin fshehur: 4 pushkë automatike AK-47; 9 karikatorë; 262 fishekë; 2 dritare plastike, të modifikuara për fshehjen e armëve. Për të mos komprometuar hetimin, Policia e mbajti të gjithë operacionin plotësisht konfidencial, duke mos e bërë publike sekuestrimin e armëve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas hetimeve, personat që kishin organizuar dërgesën me dokumente të falsifikuara, si dhe pritësit e saj në qytetin Mulhouse të Francës, nuk ishin në dijeni se armët ishin zbuluar dhe sekuestruar nga autoritetet kosovare. Kur dërgesa nuk mbërriti në destinacion, i dyshuari B.

H. (27-vjeç) dyshohet se u paraqit më 2 korrik në agjencinë turistike për ta tërhequr porosinë, duke menduar se ajo ishte kthyer ose kishte mbetur në transit. Në atë moment, hetuesit e DHKOKR-së ndërhynë dhe e arrestuan në flagrancë. Operacioni vazhdoi me bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit, ku u gjetën dhe u sekuestruan edhe tri pjesë të pushkëve automatike AK-47 dhe kondakë druri.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj B. H. është iniciuar procedurë për veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse” dhe “Falsifikim”, ndërsa ai është dërguar në mbajtje.

Sinjali do të publikojë edhe fotografitë e arsenalit të armëve të sekuestruara, të siguruara nga burimet e veta. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com