Nga një vend i perceptuar për vite me radhë kryesisht përmes rindërtimit pasluftës, Kosova po ndërton një identitet të ri ekonomik, të mbështetur në investime, inovacion, teknologji, energji dhe kapital njerëzor.
Ky është mesazhi kryesor i raportit special “Kosovo: A Balkan Success Story”, të publikuar nga One World Media dhe të publikuar në platformën e USA Today, ku Kosova paraqitet si një nga tregjet me potencial të konsiderueshëm zhvillimi në Evropën Juglindore. Sipas raportit, perceptimi ndërkombëtar për Kosovën po ndryshon.
Vendi po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e investitorëve që kërkojnë tregje me potencial afatgjatë, kosto konkurruese të operimit dhe fuqi punëtore të re e të përshtatshme. Pozita strategjike në zemër të Ballkanit, popullsia më e re në Evropë dhe zhvillimi i sektorëve si energjia, shëndetësia, financat, teknologjia dhe prodhimi përmenden si disa nga avantazhet kryesore të Kosovës.
Raporti thekson se investimet e huaja direkte kanë tejkaluar për herë të parë vlerën prej 1.1 miliard dollarësh, duke reflektuar rritjen e besimit në një treg që ende mbetet më pak i përfaqësuar krahasuar me potencialin e tij.
Një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës luan edhe diaspora, e cila përmes investimeve, ndërmarrësisë dhe lidhjeve tregtare po e afron vendin me tregjet evropiane dhe ato të Amerikës së Veriut. Vëmendje e veçantë në raport i kushtohet edhe modernizimit të sektorit energjetik.
Më shumë se 340 milionë dollarë janë investuar në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, duke rritur qëndrueshmërinë e furnizimit dhe duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin industrial.
Kosova po synon gjithashtu rritjen e prodhimit të energjisë së rinovueshme, përdorimin e sistemeve digjitale të monitorimit dhe zhvillimin e teknologjive të rrjeteve inteligjente. Sistemi bankar përshkruhet si i qëndrueshëm, i kapitalizuar mirë dhe i rregulluar me kujdes, ndërsa institucionet financiare po investojnë në shërbime digjitale dhe zgjidhje më të shpejta të pagesave.
Raporti e konsideron kapitalin njerëzor si një nga përparësitë më të mëdha të vendit. Fuqia punëtore e re, aftësitë digjitale, njohja e gjuhëve të huaja dhe përshtatja me mjediset ndërkombëtare të biznesit po e bëjnë Kosovën më tërheqëse për kompanitë që kërkojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre.
Mundësi të reja investimi po shfaqen në energjinë e rinovueshme, shërbimet digjitale, shëndetësi, logjistikë dhe prodhim të avancuar. Sipas raportit, Kosova nuk po përkufizohet më vetëm nga rimëkëmbja pas luftës, por gjithnjë e më shumë nga potenciali ekonomik dhe mundësitë për rritje.
Përmbajtja është realizuar nga One World Media me kontributin e organizatave të ndryshme të biznesit në Kosovë dhe është publikuar në USA Today, ndërsa stafi editorial dhe i lajmeve i USA TODAY Network nuk ka qenë i përfshirë në krijimin e saj. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
