“Ramës po i lëkundet froni”, analistët paralajmërojnë për rritje të

0%

Ndërsa protestat kundër qeverisë shqiptare kanë hyrë në muajin e dytë dhe mijëra qytetarë vazhdojnë të kërkojnë çdo ditë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, kreu i qeverisë ka reaguar me një mesazh të fortë në rrjetet sociale, ku ka sulmuar organizatorët dhe një pjesë të pjesëmarrësve në protestë.

Përmes një postimi në Facebook, Rama përdor një gjuhë të ashpër, duke i cilësuar si “mbetje të rrezikshme socio-politike” ata që, sipas tij, po përpiqen të manipulojnë revoltën qytetare. Në të njëjtën kohë, ai bën dallimin mes tyre dhe qytetarëve që protestojnë për problemet e përditshme.

“K orja e mbetjeve të rrezikshme socio-politike të bulevardit dhe uji i rrjedhshëm i protestës së qytetarëve që kërkojnë të dëgjohen, janë dy gjëra krejt të ndryshme.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai ujë që buron nga halle, shqetësime, probleme reale të jetës së çdo protestuesi apo simpatizanti të protestës, duhet kthyer dhe do ta kthejmë në energji për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, duke ndarë me ta reflektimin tonë nga kjo protestë, sapo ta kemi lexuar me vëmendje e përulësi krejt mesazhin e zemërimit të tyre të sinqertë ”, shkruan Rama.

Në reagimin e tij, kryeministri pretendon se protesta do të shërbejë si një moment reflektimi për qeverinë, ndërsa akuzon atë që e quan “cunam të baltës digjitale” dhe “armiq të Shqipërisë” për nxitjen e tensioneve politike.

“ Por e mira më e madhe e kësaj proteste, për të cilën do të bëhen pishman edhe armiqtë e dashakeqët e Shqipërisë që qëndrojnë pas cunamit të baltës digjitale, është se në fund nga e gjithë kjo vorbull shumica qeverisëse do të dalë me vullnetin e ripërtërirë për të qenë shumë më afër me popullin.

Dhe protestuesit do të fitojnë bashkë me Shqipërinë, ndërsa shembëlltyra e zezë që i keqpërdori do të dështojë e do të thërmohet në çika…” , shprehet ai në Facebook. Ndërsa, analistët vlerësojnë se protestat kundër qeverisë po hyjnë në një fazë më të tensionuar, ku përplasjet me policinë dhe retorika e ashpër politike rrezikojnë të thellojnë krizën dhe të rrisin polarizimin në vend.

Sipas tyre, ndonëse protesta nisi si një lëvizje paqësore, zhvillimet e fundit kanë ndryshuar dinamikën e saj, duke shtuar shqetësimet për stabilitetin politik dhe nevojën për zgjidhje përmes dialogut dhe institucioneve. Protestat si dhe veprimet dhe gabimet e Edi Ramës ofrojnë fundin e tij…

Lidhur me këtë, opinionisti Xhevat Mustafa, në një prononcim për “Bota sot”, ka kritikuar ashpër mënyrën se si qeveria dhe Policia e Shtetit kanë trajtuar protestat, duke vlerësuar se ngjarjet e 30 qershorit shënuan një përshkallëzim të tensioneve.

Xhevat Mustafa Sipas tij, protestat tashmë kanë marrë përmasa më të gjera, duke përfshirë edhe diasporën shqiptare në vende të ndryshme të botës. “P rej një muaji dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë dalin çdo ditë në protestë paqësore, kryesisht në sheshet dhe rrugët e Tiranës.

Ditë më parë, nga komunitete shqiptare të diasporës ka pasur protesta të ngjashme për nga strategjia dhe kërkesat edhe në disa kryeqytete të vendeve të Europës Perëndimore, të Kanadasë, SHBA-së e tj…Kërkesa e tyre kryesore ka qenë dhe vazhdon të jetë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, shoqëruar më pas, edhe me arrestimin e tij e të Sali Berishës, liderit të PD-së dhe të opozitës, katandisur këto vitet e fundit, si kokoshi në një thelë,.

Por kreu i qeverisë, në vend që të dëgjojë kërkesat e tyre, ka zgjedhur që ti sulmojë atë. Protesta e dt.30 qershor u karakterizua nga një dozë më e lartë agresiviteti nga një turmë protestuesish dhe nga kundërpërgjigja më e egër dhe më e dhunshme nga forcat e rendit.

Natyrisht ky kundërveprim nga forcat policore nuk ishte spontanisht, por me urdhër dhe miratim nga lart, nënkuptohet edhe me dijeninë e vetë kryeministrit Edi Rama ”, ka thënë ai. Tutje, Mustafa ka argumentuar se ngjarjet e 30 qershorit prishën balancën që kishte ekzistuar deri atëherë mes protestuesve dhe autoriteteve policore.

“ Në mënyrë figurative mund të thuhet se më 30 qershor u shkel apo u flak tutje marrëveshja e heshtur, me shumë gjasa pa tekst e pa firma mes shtabit akoma të pa bërë publik të protestuesve dhe autoriteteve policore.

Për këtë faji dhe përgjegjësia, bien së pari, mbi forcat e rendit, nga të cilat kërkohej dhe pritej vetëpërmbajtje…Kalimi në dhunë fizike dhe arrestime të disa protestuesve, ishte krahasueshëm me provokimin e qëllimshëm të tyre, për tu dëshmuar forcën e policisë së shtetit apo të diktaturës së këtyre viteve, jo krejt si ajo e Enver Hoxhës, por me doza apo bojëra të lehta moderacioni, tolerance, demokratizimi fals apo të pasinqertë…

”, ka deklaruar ai. Sipas tij, retorika e përdorur nga Rama vetëm sa do të rrisë pakënaqësinë e protestuesve dhe do të thellojë përplasjen politike. “N ga maja e “piramidës” qeveritare, personalisht kryeministri Edi Rama, nuk u mjaftua me këto akte të para, të qarta dhe publike dhune, por me vetëdije dhe me arrogancën dhe prepotencën e tij “gjenetike” apo karakteristike shkoi edhe më teje.

Me anë të një postimi në facebook, kreu i qeverisë i quan ata “mbetje të rrezikshme socio-politike”; ‘shëmbëlltyra më e zezë e alternativave politike e këtyre 35 vjetëve’. Mund të thuhet me bindje se kjo frazeologji agresive e kryeministrit Edi Rama shpreh edhe gjendjen e tij neuro-psikologjike, të acaruar ndjeshëm, deri në paaftësi vetë përmbajtjeje në sjellje, veprime dhe deklarime.

Është e logjikshme dhe e pritshme që kjo gjuhë e tij të pritet me mospajtim dhe kundërshtim masiv nga “populli i protestave”, ti bindë ata edhe më shumë se nuk mund të vazhdohet shumë gjatë me protesta paqësore me një njeri dhe kryeministër, që “nuk i njeh” fjalën, praktikën, traditën “dorëheqje ”!”, ka theksuar ai Më tej Mustafa, potencoi se retorika e kryeministrit po prodhon efekt të kundërt, duke rritur pakënaqësinë dhe mobilizimin e protestuesve.

“ Kjo retorikë e tij zgjeron, thellon dhe masivizon përçarjen politike dhe largon në kohë dhe distancë qasjet dialoguese dhe bashkëpunuese.

Edhe ofrimin e ideve, mendimeve, qëndrimeve, veprimeve në kërkim të një zgjidhjeje edhe paqësore, edhe të mirëpritur e të miratuar nga shumica e shqiptarëve në Shqipëri dhe në diasporë, jo vetëm të pjesëve qp ndjehen dhe janë fizikisht, me mendje dhe zemra së bashku me “lumin popullor” të demonstruesve.

Jo vetëm për mua, ky qëndrim dhe kjo retorikë e Edi Ramës, pa dashje prej tij, shpreh edhe mesazhin pa tekst të shkruar se atij po i lëkundet froni i pushtetit si dhe i janë prishur qetësia, gjumi, oreksi, alegria…, frenat e vetëpërmbajtjes, të vetëredaktimit apo të vetëkorrekturës logjike e gjuhësore…?

Këto shprehen qartësisht edhe në akuzat e tij ndaj liderëve dhe gjithë protestuesve, si të nxitur nga faktorë apo forca të jashtme apo të huaja ”, ka shtuar ai. Në vijim, Mustafa është ndalur te deklaratat e kryeministrit se protestat po nxiten nga Irani dhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke i cilësuar ato të pabazuara.

“Kryeministri është bërë edhe më tepër i pabesueshëm dhe qesharak kur sajoi apo deklaroi se krerët e protestuesve kanë lidhje apo nxiten “nga Irani dhe Albin Kurti”! “Ndërhyrja nga regjimi iranian” apo nga Teherani shtetëror është sajesë dhe alibi nga Edi Rama për t’i bërë qejfin dhe fituar zemrën Netanyahut, Sorosve, Jared Kushnerit, Trumpit…!?

Si mund të ndërhyjë në Shqipëri, sa të ndikojë në një masë aq të madhe protestuesish, Irani, me 1001 halle të veta dhe me aq shumë viktima njerëzore dhe me dëme materiale kolosale, nga lufta me Izraelin dhe SHBA?! Për më tepër, kur Shqipëria është si popullsi sa një lagje e Teheranit dhe kur shteti pers nuk ka në Tiranë as Ambasadë!?

Edhe më keq për Iranin shtetëror, muxhahedinët apo iranianët në Manez, janë opozitarë me regjimin e Ajotollahëve dhe mbështetës të Shahut!? Në të kundërt e në të vërtetë janë të shumtë në Shqipëri, sidomos në Tiranë, Durrës, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Himarë, Sarandë…izraelitët, me statusin apo maskat e turistëve dhe të investitorëve!

Nënkuptohet, mes tyre janë edhe jo pak, mosadistë, me mision të hershëm apo të freskuar gjatë këtyre dy viteve të fundit…!? Kuptohet se në këto kushte, edhe “ndërhyrja iraniane” me hakera, është minimale apo e papërfillshme! ”, ka vlerësuar ai.

Gjithashtu, Mustafa ka shtuar se përmendja e faktorëve të jashtëm synon të largojë vëmendjen nga pakënaqësia e brendshme ndaj qeverisë dhe se protestat kanë shkaqe tërësisht të brendshme.

“ Troç apo shqip: me ndikimin iranian apo nga Albin Kurti dhe LVV, të cilëve, logjikisht dhe shqiptarisht, si shqiptarë, u takon të sjellin në protesta sa më shumë shqiptarë në mbrojtje të interesave kombëtare, Edi Rama synon më kot të mbulojë lakuriqësinë e të vërtetës se protestat popullore janë kundër tij si kryeministër dhe qeveri, me shumë vkm antiligjore dhe antikombëtare!

Edhe kundër gjase qeverisë dhe “mbretërisë” së tij, pushtuar nga mafia dhe përmbyt nga korrupsioni dhe nga skandalet!!! Merret me mend se nga këto deklarime dhe veprime të kryeministrit dhe të disa “kukullave” të tij politike dhe mediatike, mes protestuesve, shtohen zhgënjimi, zemërimi dhe papajtueshmëria ndaj kryeministrit si individ dhe si ekip qeveritar!

Njëherazi, edhe vendosmëria për ti vazhduar protestat, edhe me forma më agresive e të dhunshme, deri në përmbushjen e plotë të të gjitha kërkesave të tyre. Më së pari, me dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe kalimin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kuptohet me kushtin e padiskutueshëm të ndryshimit të Kodit Zgjedhor 2008, të hartës zgjedhore; të shkurtimit të administratës në nicvelin e vitit 2013, kur popullsia e vendit ishte rreth 750 mijë-1 milion banorë më shumë e të eleminimit të plotë të strukturës së jashtëligjshme të patronazhizmit apo të bandave për vjedhjen masive të votave, mandateve, të fitores …”, ka përfunduar Mustafa për “Bota sot”.

Shqipëria drejt luftës civile? Ilir Vata Ndërsa, analisti politik, Ilir Vata në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se protesta ka nisur si një nismë paqësore, por më pas është transformuar dhe është shoqëruar me elemente që rrezikojnë stabilitetin politik dhe demokratik të vendit. “P rotesta ka kaluar një muaj dhe, në fillim, ishte një protestë paqësore dhe interesante.

Simbol i saj u bënë flamingot e Zvërnecit, pas projektit të investimit nga familja Trump. Tashmë protesta ka hyrë në muajin e dytë dhe, në pamje të parë, ka demonstruar elementët më pozitivë: flamuj, këngë patriotike dhe parulla kundër qeverisë, por edhe kundër politikës së vjetër në tërësi, duke përfshirë edhe opozitën.

Në thelb, ajo duket si një përplasje brezash mes të shkuarës dhe të ardhmes, por më thellë paraqet një realitet tjetër. Në protestë kanë dalë ekstremistë të majtë, ish-pjesëtarë të Sigurimit të Shtetit, përkrahës të diktatorit Enver Hoxha dhe ekstremistë islamikë.

Në këtë vorbull janë përfshirë edhe politikanë të korruptuar, kryesisht nga e majta, qendra dhe e djathta, të cilët, sipas pretendimeve, financojnë me miliarda protestën. Po ashtu, në këto trazira janë futur edhe dashakeqës të Shqipërisë dhe Kosovës, që kërkojnë destabilitet politik në rajon.

Nuk mund t’u vihet emër konkret, por mendohet se në shesh janë mbledhur të gjitha të këqijat e një shekulli, me synimin për të realizuar atë që nuk duhet të ndodhë: instalimin e një diktature të re në Shqipëri” , ka thënë ai. Më tej, ai ndalet te sloganet e protestës dhe pjesëmarrja e figurave politike e publike, duke argumentuar se ato ngjajnë me praktika dhe retorika të së kaluarës.

“S logani “Burg për Ramën dhe Berishën” të kujton thirrjet e diktaturës pas vitit 1945, kur anëtarë të gjykatave, shpesh pa formimin e duhur, ngrinin dorën për dënime me vdekje. Edhe slogani “Shqipëria e Re” ngjan me sloganet e përdorura gjatë diktaturës. Shqipëria sot është një demokraci e brishtë me shumë probleme, por termi “e re” lë të nënkuptohet se gjithçka e mëparshme duhet rrëzuar.

Në protestë është parë edhe deputeti dhe kryetari i një partie, Agron Shehaj, miliarder dhe përfitues tenderash nga qeveria, i cili, sipas raportimeve, u dëbua nga protestuesit me pretendimin se kërkonte t’ua përvetësonte protestën. Po ashtu, në protestë ka marrë pjesë edhe Fatos Lubonja. Ai është përfshirë prej vitesh në debatet publike dhe politike.

Në shesh dalin edhe deputetë të Partisë Demokratike, të cilët brohorasin në kor: “Rama në burg, Berisha në burg”. Kjo lë të nënkuptohet se pas këtij kori mund të fshihen interesa të ndryshme politike. Paratë derdhen lumë në shesh, ndërsa shumë pjesëmarrës thërrasin kundër korrupsionit pa ditur se kush i financon protestat.

Nga kjo pikëpamje, Rama ka të drejtë kur sheh në protestë njerëz që i konsideron produkt të politikës së vjetër. Ai nuk i quajti “sorra” të rinjtë, por, sipas interpretimit të autorit, një pjesë të organizatorëve dhe drejtuesve të protestës ”, ka theksuar ai.

Gjithashtu, Vata ka renditur edhe një sërë kritikash ndaj kryeministrit Rama, duke përmendur çështje që lidhen me investimet, pronën, administratën publike dhe sistemin zgjedhor.

“ Rama ka shumë gabime: mungesë transparence për investimet në Sazan dhe Zvërnec; Paketa e Maleve është një nismë e gabuar; mban në fuqi ligjin 7501, i cili pengon kthimin e pronës tek i zoti dhe krijon probleme për investimet e huaja; ka dobësuar pluralizmin me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke hequr koalicionet parazgjedhore; ka fryrë administratën për interesa elektorale, ku punësimi shpesh varet nga biografia politike, si në kohën e diktaturës; dhe ka krijuar një sistem politik që, sipas kritikëve, diskriminon shtresa të caktuara të shoqërisë, përfshirë ish-të përndjekurit politikë.

Pra, Rama ka një mijë e një të zeza, por, sipas këtij këndvështrimi, për “sorrat” e protestës ka të drejtë. Në këtë këndvështrim, ai shihet si barriera e fundit për të ndalur instalimin e një diktature të re në Shqipëri” , ka cilësuar ai.

Në fund, Vata ka shprehur shqetësimin se protesta mund të marrë përmasa edhe më të rrezikshme, ndërsa u bën thirrje institucioneve që të hetojnë çdo veprim të paligjshëm dhe të mos lejojnë përdorimin e të rinjve për qëllime politike. “ Protesta, ka nisur që në fillim si një lëvizje politike dhe jo si një protestë për ndryshime ligjore. Kërkesa kryesore ka qenë dorëheqja e qeverisë.

Kjo, sipas këtij interpretimi, tregon se synimi është rrëzimi i pushtetit përmes presionit të turmës. Për një muaj protesta ishte paqësore, por më pas shpërtheu dhuna para Kuvendit të Shqipërisë. Pati të arrestuar, të cilët më vonë u lanë të lirë. Kjo tregon se protesta ka ndryshuar kurs.

Sipas këtij këndvështrimi, meqenëse nuk ka arritur mbështetje masive për t’i bërë presion qeverisë, një pjesë e protestuesve ka zgjedhur dhunën si mjet për të arritur objektivat e saj. Për këtë arsye, shpreh shqetësimin se situata mund të përshkallëzohet më tej.

Shteti, institucionet e sigurisë, ushtria dhe SPAK-u duhet të hetojnë çdo individ apo grup që organizon ose financon veprimtari të paligjshme, nëse ekzistojnë prova për shkelje të ligjit. Të rinjtë nuk duhet të përdoren si instrument politik në përplasje që rrezikojnë demokracinë dhe rendin kushtetues.

Çdo individ apo grup që organizon ose financon veprimtari të paligjshme, nëse ekzistojnë prova për shkelje të ligjit. Të rinjtë nuk duhet të përdoren si instrument politik në përplasje që rrezikojnë demokracinë dhe rendin kushtetues”, ka përfunduar Vata për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot