Shpërndaje në: Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se rritja e çmimit të biletave fizike të Trafikut Urban synon ta nxisë përdorimin e pagesave digjitale, duke theksuar se qytetarët që blejnë bileta përmes kuletës digjitale ose SMS-së do të vazhdojnë të paguajnë pothuajse të njëjtin çmim si më parë.
Rama deklaroi se Komuna po e shtyn përpara procesin e digjitalizimit të pagesave, ndërsa çmimi është rritur vetëm për biletat që blihen me para në dorë. “Qytetarët që përdorin kuletën digjitale e kanë biletën pothuajse të njëjtë ose edhe shumë më lirë sesa ata që paguajnë me para në dorë. Ky është një proces i modernizimit të të gjithë flotës”, ka thënë Rama.
Sipas Ramës, autobusët e rinj që po futen në përdorim do të jenë të pajisur me sistem pagesash pa kontakt, duke mundësuar pagesën me telefon ose kartelë bankare. Ai shtoi se aktualisht në qarkullim janë 24 autobusë të rinj, ndërsa së shpejti do t’u shtohen edhe 20 të tjerë, me synimin që kryeqyteti të ketë mbi 100 autobusë të rinj.
Nga dita e sotme kanë hyrë në fuqi çmimet e reja të biletave të Trafikut Urban. Bileta njëdrejtimëshe fizike kushton 80 centë, ndërsa ajo digjitale 60 centë. Ndërkaq, bileta ditore fizike është rritur nga 80 centë në 1 euro e 20 centë, ndërsa përmes SMS-së ose kuletës digjitale kushton 1 euro.
