Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të udhëtojë këtë të martë drejt Ankarasë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s, i cili do të mbahet më 7 dhe 8 korrik, ku liderët e vendeve aleate do të diskutojnë çështjet kryesore të sigurisë globale dhe të ardhmen e Aleancës.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin turk, Rama pritet të zhvillojë një takim dypalësh me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në kuadër të serisë së takimeve që kreu i shtetit turk do të zhvillojë me liderët pjesëmarrës në samit. Në samit do të marrin pjesë drejtuesit e 32 vendeve anëtare të NATO-s, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve euroatlantike.
Në fokus të diskutimeve do të jenë rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, forcimi i kapaciteteve ushtarake të Aleancës, lufta në Ukrainë dhe sfidat e reja të sigurisë në rajonin euroatlantik.
Një nga ngjarjet më të rëndësishme të samitit pritet të jetë takimi mes presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe presidentit amerikan Donald Trump, i cili do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për media.
Pjesëmarrja e kryeministrit Rama në këtë samit vlerësohet si pjesë e angazhimit të Shqipërisë në strukturat e NATO-s dhe koordinimit me aleatët për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
