Shpërndaje në: Punonjësit shëndetësorë në epiqendrën e shpërthimit të Ebolës në Kongo po largohen nga vendet e punës në shenjë proteste për shkak të vonesave në pagesat e tyre, duke rrezikuar përpjekjet për të frenuar përhapjen e virusit, ndërsa zyrtarët kanë thënë se shpërthimi vazhdon të përhapet më shpejt sesa ritmi i reagimit.
Në provincën Ituri, më e prekura nga tri provincat në lindje të Kongos, disa prej profesionistëve shëndetësorë dhe punonjësve të tjerë të vijës së parë i kanë thënë Agjencisë Associated Press se nuk kanë marrë pagat dhe bonuset që nga shpallja e shpërthimit më 15 maj.
Ata gjithashtu kanë pretenduar se po punojnë me pajisje të kufizuara mbrojtëse dhe se po trajtohen në mënyrë të padrejtë nga autoritetet dhe ekipet e reagimit.
“Që nga shpallja e shpërthimit të sëmundjes së virusit Ebola, kemi kërkuar vazhdimisht pagesën për punën tonë”, ka deklaruar doktori Bienso Kano, anëtar i komitetit të mbikëqyrjes epidemiologjike në Bunia, kryeqytetin e provincës Ituri. Të dhënat më të fundit të qeverisë tregojnë se janë regjistruar 1.708 raste, përfshirë 580 viktima.
Autoritetet shëndetësore kanë bërë të ditur se muaji i parë i këtij shpërthimi të Ebolas ishte tashmë më i rëndë i regjistruar ndonjëherë. Greva vjen në kohën kur nis regjistrimi i pjesëmarrësve për provat klinike të trajtimit kundër virusit Bundibugyo, i cili ishte përgjegjës për këtë shpërthim.
