Një shtetas amerikan që punonte për një organizatë humanitare në Republikën Demokratike të Kongos ka rezultuar pozitiv me llojin Bundibugyo të virusit Ebola, njoftuan Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Sipas CDC-së, autoritetet amerikane po bashkëpunojnë me organizatën punëdhënëse të pacientit, agjenci të tjera federale dhe partnerët në Republikën Demokratike të Kongos për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit dhe për të identifikuar kontaktet me rrezik të lartë. Deri më tani nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi identitetin apo gjendjen e pacientit.
CDC thekson se nuk janë konfirmuar raste të Ebolës në Shtetet e Bashkuara dhe se rreziku për publikun amerikan mbetet i ulët. Sipas autoriteteve shëndetësore, shpërthimi është ende i kufizuar në zona të largëta të Republikës Demokratike të Kongos dhe Ugandës fqinje, ndërsa mundësia e përhapjes së virusit në SHBA konsiderohet shumë e ulët.
Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet kongoleze, numri i rasteve të konfirmuara me Ebola ka arritur në 1.830, ndërsa 648 persona kanë humbur jetën nga sëmundja. Në muajin maj, një tjetër mjek misionar amerikan, Dr. Peter Stafford, rezultoi pozitiv me Ebola gjatë punës së tij në Republikën Demokratike të Kongos.
Ai u evakuua së bashku me familjen në Berlin, ku iu nënshtrua trajtimit dhe më pas u shërua. Në një intervistë pas rikuperimit, Stafford tregoi se përjetoi temperaturë të lartë, dobësi të theksuar dhe vështirësi edhe në ecje. Bashkëshortja e tij, Dr.
Rebekah Stafford, tha se familja kaloi momente të vështira, ndërsa fëmijëve iu desh t’u shpjegohej se nuk mund të afroheshin pranë babait të tyre gjatë trajtimit. Muajin e kaluar u raportua edhe rasti i parë i Ebolës jashtë Afrikës gjatë këtij shpërthimi.
Një punonjës humanitar rezultoi pozitiv në Francë pasi u kthye nga një mision në Republikën Demokratike të Kongos, duke ngritur shqetësime për monitorimin e udhëtarëve që vijnë nga zonat e prekura. Autoritetet shëndetësore ndërkombëtare vijojnë të ndjekin nga afër situatën, ndërsa përpjekjet për frenimin e shpërthimit të virusit Bundibugyo në Afrikën Qendrore vazhdojnë.
