Punëtorët e ndërmarrjes “Prishtina Parking” kanë protestuar të hënën para objektit të kompanisë në lagjen Lakrishte në Prishtinë, duke shprehur pakënaqësinë për mosekzekutimin e pagave për muajin qershor. Dhjetëra punëtorë u mblodhën para ndërmarrjes, duke kërkuar që pagat të ekzekutohen gjatë ditës së sotme () ndërsa paralajmëruan se, në të kundërtën, do ta ndërpresin punën.
Kryetari i sindikatës së punëtorëve, Flamur Hajdari, tha se sipas kontratës, pagat duhet të ekzekutohen deri më datën 5, ndërsa sot, më 7 korrik, ato ende nuk janë realizuar. “Arsyeja pse jemi mbledhur sot është se paga që ka pasur të jetë e ekzekutuar nuk është ekzekutuar ende. Është data 7 sot, me kontratë kemi të drejtë deri në datën 5 me prit. Pas datës 5 ende nuk është ekzekutuar.
Po presim që sot gjatë ditës të ekzekutohen pagat”- tha Hajdari. Ai i bëri thirrje kryetarit të Komunës e Prishtinës, Përparim Rama, që të ndërmarrë hapa për tejkalimin e krizës financiare në ndërmarrje. “I bëj thirrje edhe kryetarit, Përparim Ramës, që të reflektojë ndaj ndërmarrjes sonë, e cila është në krizë. Nuk është hera e parë që kemi telashe me paga.
Pothuajse çdo muaj presim nëse do të dalin ose jo”- deklaroi ai. Sipas Hajdarit, punëtorët ende nuk kanë marrë përgjigje nga Komuna e Prishtinës lidhur me kërkesat e tyre. “Po flitet për një subvencion, por ende nuk ka asgjë konkrete. Po presim edhe rregulloren që të dalë në publik dhe të ecim përpara, por gjithçka është ende në pritje”- tha ai.
Kryetari i sindikatës paralajmëroi se nëse pagat nuk ekzekutohen gjatë ditës, punëtorët do të ndërpresin punën deri në realizimin e tyre. Ai shtoi se ndërmarrja po përballet me krizë dhe se punëtorët presin emërimin e një kryeshefi të ri, miratimin e rregullores, financim dhe mbështetje nga Komuna e Prishtinës.
Edhe anëtari i sindikatës, Safet Zuka, tha se punëtorët e kishin paralajmëruar menaxhmentin se do të protestonin nëse pagat nuk ekzekutoheshin në afatin e paraparë. “Ne kemi pasur takime të rregullta me sindikatën dhe me ndërmarrjen. I kemi paralajmëruar se nëse rroga nuk del në kohën e caktuar, do të bëjmë protesta. Nuk ka asnjë arsyetim. Kjo po ndodh tash e tre vjet.
Ne e kryejmë punën tonë. Jemi çdo ditë në punë dhe nuk ndalemi. Problemet e menaxhimit duhet t’i zgjidhin ata”- tha Zuka. Lidhur me këtë protestë dhe pretendimet e punëtorëve për mosekzekutimin e pagave, KALLXO.com ka adresuar pyetje edhe në ndërmarrjen “Prishtina Parking”, dhe është në pritje të përgjigjeve zyrtare.
Kjo ndërmarrje tash e një kohë po përballet me vështirësi financiare, ndërsa ekzekutivi në Prishtinë ka kërkuar disa herë nga Kuvendi Komunal ndarjen e mjeteve financiare për tejkalimin e kësaj situate. Në një nga seancat e fundit, propozimi për ndarjen e 100 mijë eurove për ndërmarrjen nuk mori votat e nevojshme.
Për vendimin votuan vetëm nëntë asamblistë, ndërsa 14 ishin kundër, duke bërë që propozimi të mos miratohej. Komuna është arsyetuar se ndarja e mjeteve ishte e domosdoshme për shkak të vështirësive financiare të shkaktuara, sipas tyre, nga një vendim i gjykatës.
Sipas ekzekutivit komunal, kjo shumë do t’i mundësonte ndërmarrjes funksionimin deri në përfundimin e procedurave për ndryshimin e rregullores së saj. Në anën tjetër, grupi i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal kishte kundërshtuar propozimin, duke vlerësuar se ai nuk i përmbush kushtet dhe standardet minimale të arsyetimit dhe transparencës.
Çështja pritet të rikthehet në mbledhjen e rregullt të Kuvendit Komunal të Prishtinës më , ku në rend dite është përfshirë sërish një propozim-vendim për ndarjen e mjeteve financiare për “Prishtina Parking”. Megjithatë, në materialet e publikuara për mbledhjen nuk është specifikuar shuma e mjeteve që propozohet të ndahen.
