Kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, tha të enjten se letra e Bashkimit Evropian, QUINT-it dhe EULEX-it drejtuar autoriteteve qendrore të Kosovës, por edhe krejt komunave, i jep shpresë që këtë vit Vidovdani të kalojë pa arrestime të serbëve për shkak të përdorimit të simboleve kombëtare.
Duke folur në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Zveçanit, ai e cilësoi si hap të mirë letrën dhe shtoi se kjo çështje ka qenë prej vitesh ndër kërkesat e serbëve në Kosovë.
“Është shumë e rëndësishme që përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, ambasadat e vendeve të QUINT-it dhe misioni i EULEX-it u kanë dërguar letër përfaqësuesve të pushtetit në Prishtinë, me të cilën kanë kërkuar që komuniteteve pakicë t’u mundësohet përdorimi i të drejtës së garantuar me Kushtetutë për simbolet dhe flamujt kombëtarë.
Ata kanë theksuar se përdorimi i këtyre simboleve është kategori e mbrojtur me Kushtetutë”, deklaroi ai, sipas Kosovonline, transmeton KosovaPress. Kosvapress ishte media e parë kosovare që raportoi ekskluzivisht për ketë letër, më 19 qershor. Ajo u ishte adresuar ministrit të brendshëm, atij të pushtetit lokal, drejtorit të policisë dhe krejt kryetarëve të komunave.
Milloviqit tha se kjo është “ndoshta një hap i vogël”, por që, sipas tij, mund të kontribuojë në stabilizimin e situatës, duke e lidhur këtë me zhvillime që kishin ndodhur në disa raste, gjatë shënimit të festës së Vidivdanit nga ana e serbëve, festo kjo që i bie më 28 qershor.
“Gjatë gjithë këtyre viteve kemi parë se, sidomos në Gazimestan, kur njerëzit tanë vijnë për ta shënuar festën kombëtare, arrestohen të rinj serbë vetëm pse mbajnë flamurin e Republikës së Serbisë ose bluza me motive të manastireve. Policia raste të tilla i ka interpretuar si provokim”, u shpreh ai. Milloviq tha se pret që këtë vit shënimi i Vidovdanit të kalojë pa incidente.
“Shpresoj që Vidovdani, që është pas pak ditësh, të kalojë në paqe dhe ne serbët ta shënojmë këtë festë në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërsa të rinjtë tanë, fëmijët tanë, duke respektuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të mos arrestohen”, tha ai.
