Protestuesit e tubimit të 33-të radhazi për dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë, kanë nisur marshimi drejt Komisariatit Nr. 3 në Tiranë, ku ndodhen disa nga protestuesit e ndaluar pas protestës së sotme para Parlamentit. Gjatë marshimit, turma ka thirrur “Lironi çunat!”, duke iu referur qytetarëve të arrestuar pas përplasjes me policinë.
Kujtojmë se protesta e sotme para Parlamentit u shoqërua me tensione dhe përplasje fizike mes qytetarëve protestues dhe policisë. Godina ishte e rrethuar me kordonë policie kur protestuesit rreth orës u afruan me thirrjet e zakonshme të protestës maratonë për dorëheqjen e kryeministrit.
Ata u përpoqën që të bllokonin qarkullimin e deputetëve, duke hedhur vezë në drejtim të tyre dhe drejt makinave të policisë. Në vijim, protestuesit tentuan të hynin në oborrin e parlamentit dhe në drejtime të tjera, pa mundur të çajnë kordonin e policisë.
Nga ana tjetër, deputetët të bllokuar nga qytetarët, zgjodhën rrugë të tjera për t’u futur në sallë, por edhe për të dalë, për të mos u përballur me ta. Pikërisht rreth orës , kur seanca mbaroi, policia veproi ndaj protestuesve duke hedhur spraj piperi, gaz lotsjellës dhe ujë me presion, duke bërë të mundur shpërndarjen e protestuesve.
Siç është raportuar edhe më herët, dhe siç është dëshmuar edhe nga pamjet filmike, forca të shumta policore ndoqën protestuesit duke i rrethuar dhe prangosur ata, dhe në disa raste, duke i goditur me shkopinj gome. Policia ka shoqëruar në komisariat 19 persona.
Sipas raportimeve, 4 persona në Komisariatin Nr. 1, 4 persona në Komisariatin Nr. 4 dhe 11 persona në Komisariatin Nr. 3, të cilët priten të dalin ditën e nesërme para gjykatës për masat e sigurisë.
