Prokuroria për 9 të arrestuarit: Pastronin para, duke e deklaruar

0%

Nga: Donisa Fazliu Shpërndaje në: Prokuroria Speciale ka kërkuar paraburgim ndaj nëntë të arrestuarve të dyshuar për krim të organizuar dhe mashtrim me tatime dhe derivate.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit kanë kryer kontrabandë të derivateve, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi Nga një muaj paraburgim ka kërkuar Prokuroria Speciale (PSRK) për nëntë të dyshuarit për krim të organizuar për mashtrim me tatime dhe derivate. Të dyshuarit janë arrestuar të mërkurën në operacionin e Speciales, nën dyshimin për përfshirje në disa vepra penale.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KOHA, i pandehuri Faruk Mazrek, ka qenë në krye të këtij grupi, pasuria e të cilit sipas PSRK-së buron nga aktivitetet kriminale të trafikimit me narkotikë, dhe se paratë janë future në sistemin bankar përmes biznesit të tij “PO PETROLL FARIZ”, në Mamushë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas organit të akuzës, i pandehuri për të fshehur origjinën e vërtetë, ka marrë 4 kredi dhe nga atëherë kanë filluar të deklarojnë qarkullim të madh financiar.

“Nga shitja e karburanteve dhe importi i naftës nga Republika e Shqipërisë, të cilën kinse ua shesin bizneseve të tjera në Kosovë, e në të vërtetë cisternat e biznesit të të pandehurve në Shqipëri ngarkohen me gjysmën e sasisë së naftës dhe gjysmën tjetër të ujit, kurse faturohen për tërë sasinë e naftës dhe në librat e kontabilitetit regjistrojnë shitje, ndërsa kompanitë e tjera blerjet e tyre nuk i regjistrojnë, ashtu që në këtë mënyrë kryejnë fshehjen e origjinës së parave përmes transfereve bankare dhe paratë e pista i fusin në sistemin ilegal financiar”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në dokument theksohet se në bashkëkryerje të plotë ka vepruar edhe djali i tij, Fariz Mazrek. Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se është përfshirë në falsifikimin e librave të kontabilitetit duke regjistruar shitje të rreme të naftës.

Ndërsa të pandehurit Skender Kelmendi dhe Nisret Bajraktari dyshohen se, duke e ditur se pasuria e të pandehurve Faruk dhe Fariz Marek është e fituar me aktivitete të kundërligjshme, vazhdimisht u kanë ndihmuar atyre, duke u lëshuar fatura fiktive për blerje të derivateve.

Ndërsa të dyshuarit Dashnim Miftari, Adem Morina dhe Muhamet Mazrek, dyshohet se me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejte, kanë vepruar brenda grupit të organizuar. “I pandehuri Muhamet Mazrek ka qenë i angazhuar në transportin, modifikimin e mjeteve transportuese.

Të pandehurit Dashnim Miftari dhe Adem Morina, gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, vazhdimisht kanë deklaruar importin e sasive të mëdha të naftës për bizneset e tyre, përmes portit ‘Porto Romano’ të Durrësit, ku kontrabandimin e ka organizuar i pandehuri Faruk Mazrek”, thuhet në dosjen e organit të akuzës.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Naser Morina ka shërbyer si vozitës i cisternave dhe ai e ka transportuar naftën nga Shqipëria duke pasur dijeni se mjetet transportuese ngarkoheshin me gjysmën e sasisë naftë dhe gjysmën tjetër ujë.

Ndërsa, i pandehuri Gazmend Qudi, dyshohet se ka ndërhyrë qëllimisht në cisterna duke krijuar komora të ndara sekrete, në mënyrë që 90 për qind e hapësirës të mbushej me ujë natyral. E, në këtë proces gjyqësor mbrojtësit e të dyshuarve kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtarit, Vesel Ismaili.

“Afati prej 48 orësh me të cilin janë ndaluar të pandehurit ka kaluar për shkak të mungesë së prokurorisë dhe ne menduam se prokuroria është tërhequr prej kërkesës. Pas një kohe ka ardhur në sallë dhe ne nuk mund të lejojmë këtë kundërligjshmëri.

Po krijohen praktika të reja, po shkelen të drejtat e të pandehurve dhe kemi kërkuar përjashtimin e gjyqtarit të lëndës” , ka thënë Arianit Koci, avokat i të pandehurit Skender Kelmendi. Por, siç mëson KOHA, kjo kërkesë e mbrojtjes është refuzuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe seanca ka vazhduar me gjyqtarin Vesel Ismaili.

Nëntë të dyshuarit janë arrestuar të mërkurën në aksionin e Prokurorisë Speciale, kundër krimit të organizuar.

Burimi: Koha