Prokuroria Themelore në Ferizaj e ka rikualifikuar si “vrasje” rastin ku mbrëmjen e së dielës, më , u vra 32-vjeçari F.H. në një banesë në Ferizaj, ndryshe nga njoftimi fillestar i Policisë së Kosovës, e cila rastin e kishte iniciuar si “vrasje e rëndë”.
Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se, pas veprimeve të para hetimore të zhvilluara në vendin e ngjarjes nga prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve Rajonale dhe njësitë tjera relevante, është ndaluar për 48 orë e dyshuara kryesore, 24-vjeçarja A.R., nën dyshimin për veprën penale “Vrasja”.
“Lidhur me këtë rast, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar e dyshuara në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale ‘Vrasja’ sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Po ashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se është ndaluar edhe babai i saj, M.B., deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe të përfshirjes së tij të mundshme në këtë rast. Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Vjosa Baftiu, konfirmoi për KALLXO.com se kualifikimi zyrtar i rastit është “vrasje”.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.
Policia e Kosovës kishte njoftuar të dielën se ekzistonte dyshimi i bazuar se rasti ndërlidhej me veprën penale “vrasje e rëndë”, ndërsa kishte bërë të ditur se kishte ndaluar për 48 orë M.B. dhe A.R.
Pas veprimeve të mëtejshme hetimore, Prokuroria ka konfirmuar se vepra penale për të cilën po zhvillohen hetimet është “vrasja”, ndërsa 24-vjeçarja konsiderohet e dyshuara kryesore në këtë fazë të procedurës.
