Shpërndaje në: Princi Harry po shqyrton çdo mundësi për t’i dërguar fëmijët e tij në Mbretërinë e Bashkuar javën e ardhshme, mes shqetësimeve për masat e sigurisë që do t’i ofrohen.
Duka i Sussexit, i cili jeton në Kaliforni, thuhet se kishte rishikuar planet që bashkëshortja e tij, Meghan, Dukesha e Sussex-it, dhe fëmijët e tyre, Princi Archie, shtatë vjeç, dhe Princesha Lilibet, pesë vjeçe, t’i bashkoheshin atij në Britani. Arsyeja ishte se kërkesa e tij për mbrojtje policore ishte refuzuar. Megjithatë, një zëdhënës i Harryt theksoi se vizita vazhdon sipas planit.
Babai i princit, Mbreti Charles, i ka ofruar atij akomodim në një rezidencë mbretërore për një pjesë të udhëtimit. Por, përfaqësuesi i Harryt tha për revistën People se çështja nuk qëndron vetëm tek akomodimi. “Akomodimi i sigurt është vetëm një pjesë e një plani efektiv sigurie, sepse rreziku ndjek personin, jo vendin ku ai qëndron. Çështja nuk ka qenë kurrë akomodimi.
Çështja është nëse po ofrohet mbrojtje e përshtatshme dhe proporcionale gjatë gjithë vizitës. Duka vazhdon të shqyrtojë çdo mundësi që vizita të zhvillohet në mënyrë të sigurt dhe që fëmijët e tij të kenë mundësinë të shijojnë Mbretërinë e Bashkuar”, deklaroi ai. Sipas gazetës The Telegraph, Harry është informuar se kërkesa e tij për një paketë sigurie është refuzuar.
Një burim kritikoi Ministrinë e Brendshme dhe komitetin përgjegjës për vlerësimin e sigurisë, duke i akuzuar se po “krijojnë me vetëdije kushte që e bëjnë pothuajse të pamundur” për familjen Sussex të përmbushë angazhimet e saj në Britani, pasi ata do të marrin siguri të financuar nga shteti vetëm kur ndodhen brenda rezidencave mbretërore.
Një burim pranë familjes Sussex tha për The Telegraph se Harry shqetësohet në aspektin e sigurisë për fëmijët. “Ministria e Brendshme dhe bordi RAVEC po krijojnë me vetëdije kushte që e bëjnë pothuajse të pamundur lëvizjen e familjes nga një vend në tjetrin.
Brenda më pak se 12 muajve kanë ndodhur tre incidente të veçanta në Mbretërinë e Bashkuar, ku persona të fiksuar pas Dukës kanë arritur t’i afrohen vetëm disa hapa larg. Në disa raste, për shkak të kufizimeve ligjore të ekipit privat të sigurisë, ata nuk kanë pasur autoritetin për t’i larguar këta persona. Harry shqetësohet për fëmijët”, ka thënë ai.
Princi 41-vjeçar aktualisht duhet të njoftojë 28 ditë përpara çdo vizite në Britani, ndërsa masat e sigurisë vendosen rast pas rasti.
Thuhet se ai është “i dëshpëruar” që fëmijët e tij të takojnë gjyshin e tyre, pasi Mbreti Charles i ka parë për herë të fundit në vitin 2022, kur familja udhëtoi në Mbretërinë e Bashkuar për festimet e Jubileut të Platinit të Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth. Ekipi privat i sigurisë i Harryt dhe Meghanit ka identifikuar shqetësime serioze në vlerësimin e vet të rrezikut.
Ndërkohë, një zëdhënës i qeverisë britanike deklaroi se është politikë e kahershme e qeverisë që të mos japë informacione të detajuara mbi këto masa, “pasi kjo mund të komprometojë efektivitetin e tyre dhe të ndikojë në sigurinë e individëve.”
