Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka rikthyer në vëmendje një nga çështjet më të ndjeshme të pasluftës në Kosovë, duke përmendur mundësinë e ekzistencës së një varri masiv në Pasuljanske Livade. Deklarata e saj ka nxitur sërish pyetje mbi fatin e personave të zhdukur me forcë dhe përgjegjësinë e autoriteteve për zbardhjen e së vërtetës.
Nëse këto pretendime do të rezultonin të sakta, ato do të përbënin një zhvillim me rëndësi të jashtëzakonshme për familjet që prej më shumë se dy dekadash presin të mësojnë fatin e më të dashurve të tyre. Në këtë kontekst shtrohet pyetja se si duhet të veprojnë institucionet e Kosovës për të kërkuar hetime konkrete dhe qasje në lokacionet e dyshuara.
Po ashtu, mbetet dilemë nëse bashkësia ndërkombëtare duhet të ushtrojë presion më të madh ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të viktimave të luftës dhe gjetjen e varreve të mundshme masive.
Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni për të pagjeturit heshtin Gazeta “Bota sot” ka kontaktuar Ministrinë e Drejtësisë për të marrë një qëndrim lidhur me deklaratat e Natasha Kandiq për mundësinë e ekzistencës së një varri masiv në Pasuljanske Livade të Serbisë.
Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nga Ministria e Drejtësisë nuk kanë pranuar të komentojnë këto pretendime. Lidhur me këto pretendime, gazeta “Bota sot” ka kërkuar një qëndrim edhe nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur. Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Komisioni nuk i është përgjigjur kërkesës së gazetës për koment.
Kërkohet hetim i plotë për pretendimet mbi varrin masiv në Serbi dhe presion më i madh ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të viktimave të luftës në Kosovë Fidair Berisha Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, në një prononcim për ‘Bota sot’, lidhur me këtë ҫështje, vlerëson se çdo informacion i ri që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë duhet të trajtohet me seriozitet maksimal.
“Në mënyrë personale mendoj se çdo informacion i ri që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur që nga viti 1999 e deri më sot duhet të trajtohet me seriozitet maksimal.
Nëse ekzistojnë pretendime për një varr masiv në Pasuljanske Livade, institucionet e Kosovës duhet të reagojnë menjëherë përmes mekanizmave shtetërorë zyrtarë, duke kërkuar hetim të plotë dhe bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe autoritetet përkatëse në Serbi”, thotë Berisha.
Sipas tij, pas deklaratës së Natasha Kandiq, e cila ka përmendur mundësinë e ekzistencës së një varri masiv në Pasuljanske Livade, nevojitet një angazhim edhe më i madh i bashkësisë ndërkombëtare. “Çështja e personave të pagjetur nuk është vetëm një çështje politike, por mbi të gjitha humanitare dhe e të drejtave të njeriut.
Prandaj, kur pretendime të tilla bëhen edhe nga qytetarë serbë, kërkohet presion më i madh ndërkombëtar për hapjen e arkivave, hetimin e çdo lokacioni të dyshuar dhe që asnjë informacion të mos mbetet i pashfrytëzuar apo i patrajtuar në detaje “, shprehet ai. Berisha thekson se familjet e personave të zhdukur kanë pritur për më shumë se dy dekada dhe meritojnë të mësojnë të vërtetën.
“Për familjet që prej më shumë se dy dekadash presin të dinë fatin e më të dashurve të tyre, e vërteta është vonuar tepër dhe nuk ka më asnjë arsye që të shtyhet. Familjarët e të pagjeturve janë thellësisht të zhgënjyer dhe meritojnë drejtësi, përgjigje dhe dinjitet.
Shoqëria, e veçanërisht institucionet, kanë detyrim të bëjnë gjithçka që është e mundur derisa të gjendet edhe personi i fundit i pagjetur” , përfundon eksperti i sigurisë, Fidair Berisha për “Bota sot”.
